English

Hoxhaj: Veriu do të jetë si kufijtë tjerë në Ballkan, kufi mes dy shteteve të pavarura

E premte, 16 shtator 2011, NOA- Enver Hoxhaj, Ministri i Jashtëm i Kosovës mori pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit që është mbajtur mbrëmë në New York. Në fjalën e mbajtur në këtë seancë ai garantoi se Kosova do të jetë gjithmonë prezent në seanca, kur do të jetë nevoja, për të shpjeguar në detaje progresin e realizuar dhe stabilitetin e arritur në Ballkan që prej kur Kosova është bërë shtet i pavarur. Ministri Hoxhaj me këtë rast ka theksuar se opinioni publik botëror është dëshmitar i një fushate shumë të rrezikshme dhe provokuese nga Republika e Serbisë që ka për qëllim të krijojë një atmosferë frike dhe mosbesimi në veriun e Kosovës. Në vijim ai bëri thirrje që të shpërbëhen strukturat ilegale dhe kriminale serbe dhe të ndalet dhuna në veri. “Me qëllim që shteti im të përparojë, kjo duhet të ndalet. Dhuna duhet të ndalet. Ne kundërshtojmë ashpër dhe kurrë nuk do të pranojmë forcat e terrorit që kanë mbetur prej viteve të Millosheviçit. Këta janë njerëzit e njëjtë që gjithashtu kanë vrarë kryeministrin serb Gjingjiç. Njerëz të njëjtë që mendojnë se autori i masakrës së Srebrenicës Ratko Mlladiq është hero i luftës. Ne nuk kuptojmë se pse Serbia është e etur për t’i mbështetur këto elemente të errëta, përveç se për fuqizimin e ndarjes së Kosovës”, ka shtuar Hoxhaj. Ndër të tjera ai shtoi se kufiri verior do të jetë si kufijtë tjerë në Ballkan dhe do të mbetet gjithmonë një kufi shtetëror ndërmjet dy shteteve të pavarura. Sipas tij, një pikë tjetër e rëndësishme për qeverinë e Kosovës është se Kosova nuk mundet dhe nuk do të pranojë kthimin në situatën para korrikut. Hoxhaj theksoi se, dialogu është filluar jo për të mbajtur status-quon, por më shumë për të kërkuar në mënyrë aktive dhe për t’u marrë vesh për zgjidhjet teknike se si Kosova dhe Serbia mund të bashkëveprojnë. Ministri Hoxhaj ka shtuar se Kosova dhe Serbia kanë për obligim për të respektuar marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe të fillojmë marrëdhëniet normale tregtare duke përdorur dy pikat kufitare. Më tej ai ka akuzuar Serbinë që po përdor serbët e Kosovës në veri të shtetit, për efektet e fushatës zgjedhore në Serbi. Sipas tij, Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk ka përdorur dhe as që do të përdorë dhunën si mjet për arritjen e qëllimeve politike kundër ndonjë komuniteti, etnik apo ndryshe. Ai është shpreh i bindur se Kosova do të punojë me KFOR-in dhe EULEX-in për t’u siguruar se ajo për të cilën kemi rënë dakord së bashku në Bruksel do të zbatohet. Sakaq Hoxhaj është zotuar se do të punojmë me ICO-në, OSBE-në dhe Kombet e Bashkuara për të mundësuar krijimin e institucioneve të lira dhe demokratike në veri. a.y/NOA

Në foto: Ministri Hoxhaj në seancën e Këshillit të Sigurimit

KOMENTE