Tiranë, 16 Shtator 2011 NOA/ Update - Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka pasur një lumë me debate mbi procesin e vlerësimit të aftësive profesionale të gjyqtarëve të Gjykatës së Rrethit Elbasan. Zyrtarisht u bë e ditur se Këshilli i Lartë i Drejtësisë mori në shqyrtim edhe kërkesat e Ministrit të Drejtësisë për procedim, si dhe mori masa disiplinore ndaj dy gjyqtarëve, përkatësisht në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan. KLD nuk publikoi emrat dhe as nuk konfirmoi nëse Presidenti i Republikës ishte i pranishëm në mbledhje. *** Mbledhja e sotme e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në reflektim të ngjarjes kriminale së rëndë të ndodhur disa ditë më parë në qytetin e Vlorës, ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Skerdilajd Konomi, në nderim të figurës së kolegut, filloi me një minutë heshtje. Diskutimet e anëtarëve të Këshillit, ndonëse të përshkruara nga dhimbja dhe indinjata e thellë, shprehën solidaritetin dhe domosdoshmërinë e rritjes së përpjekjeve për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e gjyqtarëve. Këshilli i Lartë i Drejtësisë mori në shqyrtim tre raportet e inspektimeve tematike të kryera nga Inspektorati i Këshillit, objekt të të cilave ishin gjykimet e çështjeve me objekt ndryshim të kombësisë, evidentimin e shkaqeve të zvarritjeve të proceseve gjyqësore, si dhe respektimi i disiplinës në punë nga gjyqtarët e gjykatave të rretheve gjyqësore dhe gjykatave të apelit. Këshilli vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës caktimin e përkohshëm të kandidatëve magjistratë, që kanë përfunduar vitin e dytë të magjistraturës, për të kryer stazhin profesional, në gjykatat e rretheve gjyqësore. Propozimet e Këshillit u bazuar në volumin e çështjeve që përballojnë gjykatat, si dhe kushtet e infrastrukturës në gjykata. e.t/NOA