English

KLD kërkon siguri për mbrojtjen e gjyqtarëve

Tiranë, 16 shtator 2011, NOA- Këshilli i Lartë i Drejtësisë është mbledhur ditën e sotme në reflektim të ngjarjes kriminale të ndodhur disa ditë më parë në qytetin e Vlorës, ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Skerdilajd Konomi. Që në fillim të kësaj mbledhje në nderim të figurës së kolegut, u mbajt një minutë heshtje. Në vijim nga ana e anëtarëve të KLD-së, u shpreh solidariteti dhe domosdoshmëria e rritjes së përpjekjeve për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e gjyqtarëve. Sakaq gjatë mbledhjes Këshilli i Lartë i Drejtësisë mori në shqyrtim tre raportet e inspektimeve tematike të kryera nga Inspektorati i Këshillit, objekt të të cilave ishin gjykimet e çështjeve me objekt ndryshim të kombësisë, evidentimin e shkaqeve të zvarritjeve të proceseve gjyqësore, si dhe respektimi i disiplinës në punë nga gjyqtarët e gjykatave të rretheve gjyqësore dhe gjykatave të Apelit. Në vijim u konkludua që në rastet e konstatuara me shkelje nga ana e Inspektoratit, aktet t’i përcillet Ministrit të Drejtësisë për veprime të mëtejshme. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, për herë të parë disiplinoi shqyrtimin e kërkesave të gjyqtarëve, për të ushtruar veprimtarinë akademike, në zbatim të vendimin të miratuar së fundmi. Në respektim të axhendës, KLD vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës caktimin e përkohshëm të kandidatëve magjistratë, që kanë përfunduar vitin e dytë të magjistraturës, për të kryer stazhin profesional, në gjykatat e rretheve gjyqësore. Propozimet e Këshillit u bazuar në volumin e çështjeve që përballojnë gjykatat, si dhe kushtet e infrastrukturës në gjykata. Këshilli i Lartë i Drejtësisë mori në shqyrtim edhe kërkesat e Ministrit të Drejtësisë për procedim, si dhe mori masa disiplinore ndaj dy gjyqtarëve, përkatësisht në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan. a.y/NOA

KOMENTE