Mitrovicë, 16 shtator, NOA - Ministri për Kosovë pranë Qeverisë së Serbisë, Goran Bogdanoviç ka vizituar pesëmbëdhjetë minuta pas mesnatës serbët, të cilët kanë vendosur barrikada te pika kufitare në Jarinje. Ai me këtë rast ka biseduar me serbët e rebeluar lidhur me gjendjen aktuale në këtë vendkalim kufitar. Po ashtu, Bogdanoviç është informuar edhe për gjendjen në pjesët tjera të veriut, sidomos për barrikadën e vendosur në vendin Soqanica, ku është bllokuar njësia e KFOR-it polak. Serbët nga ana e tyre kanë thënë se gjithë natën do ta kalojnë në barrikada. Në vendin Soqanica në territorin e komunës së Leposaviçit rreth orës 23.00 qytetarët serbë kanë bllokuar një njësi të KFOR-it, e cila po kthehej në bazën “Noting hill” nga drejtimi i Mitrovicës. Sipas medieve serbe, një numër i madh i serbëve është në barrikadës, derisa ushtarët e KFOR-it kanë parkuar automjetet pranë rrugës dhe qëndrojnë para tyre. Ndryshe, serbët kanë bllokuar me kamionë rreth orës 20:30 pikën kufitare në Jarinje. Ata kanë vendosur kamionë nga të dyja anët e kufirit, përkatësisht nga territori i Serbisë dhe i Kosovës, duke paralizuar kështu totalisht qarkullimin e automjeteve në këtë vend. Ata po ashtu duke vendosur kamionë nga të dyja anët e territorit kanë bllokuar edhe pikën kufitare në Bërnjak. Vazhdojnë të mbeten të bllokuara edhe ura kryesore dhe ajo lindore mbi lumin Ibër, ku është vendosur sasi e madhe e rërës. Gjatë ditës së enjte janë vënë barrikada edhe mes Leposaviqit në drejtim të Jarinjes, si dhe në disa lokacione në drejtim të pikës kufitare Bërnjak. Vendosja e barrikadave ka nisur pas paralajmërimit të Qeverisë së Kosovës për dërgimin e policëve dhe doganierëve në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri. NOA/KosovaPress