E premte, 16 shtator 2011, NOA- OSBE u ka bërë thirrje palëve në Kosovë që të veprojnë me përgjegjshmëri, duke kërkuar që çështjet të zgjidhen me qetësi. Apeli i OSBE-së vjen pasi doganierë dhe policë të Kosovës e të EULEX-it janë dërguar sot me helikopterë të KFOR-it në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës, ndërkohë që serbët lokalë kanë ngritur barrikada në rrugë. “U bëj thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe të veprojnë me përgjegjësi. Çështjet e pazgjidhura duhet të zgjidhen në mënyrë të qetë dhe të përgjegjshme, me anë të dialogut të kryesuar nga BE-ja. Mbrojtja dhe siguria e njerëzve, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, duhet të jenë prioritet i lartë”, është shprehur ministri i Jashtëm lituanez, Audronius Azubalis, i cili aktualisht kryeson OSBE-në. a.y/NOA