Tiranë, 16 shtator 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, me një letër drejtuar homologut të tij, Gramoz Ruci, ka ftuar opozitën që të dyja palët t`i drejtohen me një ftesë të përbashkët OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias që të asistojnë të gjithë procesin e reformës. “Një muaj pas daljes së raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për Zgjedhjet Vendore të 8 majit në Shqipëri, është koha më e përshtatshme që të nisim bashkarisht përpjekjet për një reformë zgjedhore cilësore, që të përgatisë si dhe kur duhet zgjedhjet politike të vitit 2013. Ne jemi të gatshëm që të nisim pa humbur kohë kontaktet, në mënyrë që ky proces i rëndësishëm të marrë udhë sa më shpejt”, shkruan Patozi. Kreu i grupit të PD shkruan më tej në letër se do të ishte në interesin e të dy palëve dhe të vetë procesit që ne t`u drejtoheshim me një ftesë të përbashkët OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias që ata të shqyrtonin mundësinë për të asistuar Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore në të gjitha etapat e tij. "Duke besuar në mirëkuptimin tuaj, mbetem me shpresë se do të ketë një bashkëpunim të shpejtë dhe luajal mes forcave tona politike për këtë çështje", thekson në letrën e tij Patozi. Në letër Partia Demokratike konfirmon zyrtarisht se cakton Oerd Bylykbashin dhe Viktor Gumin, si negociatorë të saj për të shqyrtuar me opozitën modalitetet e ngritjes së Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore. Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka emëruar Damian Gjiknurin dhe Vasilika Hysin, si të ngarkuar për të nisur kontatet me përfaqësuesit e mazhorancës për reformën zgjedhore. a.q/NOA