Lushnjë, 16 shtator, NOA – Pasi e kanë rrahur një 21-vjeçar, tre të rinj i kanë grabitur më pas dhe makinën. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, rreth orës 18:00 në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Savrës të rrethit Lushnjë. Autorë të saj janë Erjon Nesim Ahmetaj, 28-vjeç, banues në Lushnje, i dënuar më parë për “Kultivim të bimëve narkotike”, Erjon Gorovelli, 25-vjeç, banues në Lushnjë, i dënuar më parë për vjedhje dhe Irenato Dervishi, 22-vjeç, banues në fshatin Karbunarë e Vogël të Lushnjës. Tre të rinjtë, të cilët udhëtonin me një makinë “Audi 80” me targa FR 62 54 C, i kanë ndërprerë rrugën automjetit tip “Volsvagen” me targe AA 031 AN, i cili drejtohej nga Bernard N. 21 vjeç, banues në Fier. Të rinjtë kanë zbritur nga makina dhe e kanë goditur me grushte 21-vjeçarin. Pas rrahjes, ata i kanë marrë dhe makinën “Volsvagen”. Pas denoncimit të bërë në polici, ka nisur dhe ndjekja e të rinjve. Brenda pak orësh është bërë i mundur arrestimi i njërit prej tyre, Erjon Nesim Ahmetaj. Ndërkohë që janë shpallur në kërkim dy personat e tjerë që dhunuan 21-vjeçarin. a.k./NOA