Tiranë, 16 Shtator 2011 NOA - Argumenti i ditës gjatë gjithë këtyre viteve, e sidomos këto muajt e fundit, në të gjithë vendin, është mungesa e ujit të pijshëm. E thënë shkurt, ajo që dëgjon çdo ditë është shprehja: “U thamë për një çikë ujë”. Ka qytete ku ujë të rrjedhshëm gjene dhe 24 orë në ditë, por këto numërohen me gishtat e dorës. Kurse Tirana, atje ku jeton një e treta e popullsisë shqiptare, po vuan në shumë zona të saj, mungesë të papranueshme të ujit në çezma. Shumë qytetarë shprehen se që uji nuk pihet në zona të ndryshme të kryeqytetit, kjo u është normale, por që të mos ketë ujë as për të larë banjot dhe të përmbushin nevoja të tjera shtëpiake, këtë e quajnë të frikshme. Përkundër këtij realiteti, drejtuesit e Ujësjellës Kanalizime Tiranë, rëndom kanë thënë se ujë në Tiranë ka me bollëk. Kreu Sahit Dollapi, një ish drejtor i KESH në vite, pak ditë më parë ndryshoi krejt qëndrim kur tha se ujë në Tiranë ka shumë pak dhe rezervat në pikë të hallit. E përkundër tërë këtyre argumenteve, pasditen e djeshme z.Berisha pretendoi se shqiptarët kanë ujë të rrjedhshëm me bollëk. “Uji nuk duket siç duken rrugët, por sot 98 për qind e shqiptarëve kanë ujë të rrjedhshëm. Janë ende 2 për qind që e marrin me bucela. Nuk e kanë 24 orë dhe këtë e di. Por unë ju garantoj se projekti tjetër do të jetë furnizimi 24 orë me ujë për të gjithë shqiptarët kudo që janë dhe që jetojnë, në fshat, në qytet dhe në çdo vend”, - ishte pretendimi dhe premtimi i Berishës, dje në komunën Remas, në Lushnje, ku mori pjesë në inaugurimin e rrugës Pushimi i Shoferit – Divjakë, me gjatësi 24 kilometër dhe vlerë rreth 1.2 miliardë lekë. e.t/NOA Foto kryesore: Berisha inauguron ujësjellësin rajonal të bashkisë Vorë 30/10/2010 Foto e dyte: Kryeministri Berisha në inaugurimin e rrugës Pushimi i Shoferit – Divjakë, në komunën Remas 15/09/2011 VIDEO: Ish-kreu i KESH Dollapi, ja mashtrimi me ujin
Shqiptarët s’kanë ujë, Berisha pretendon se vetëm 2% vuajnë hallin shumëvjeçar
-
Spiro Spirako07:58 - 17 Shtator 2011tash po ja fut kot se per ujenuk ke ba gja