Edhe pikat doganore 1 dhe 31 do të funksionojnë si të gjitha pikat tjera kufitare të Republikës së Kosovës Nga Hashim Thaçi Sot në orët e mëngjesit ka filluar implementimi i Planit operacional të Qeverisë së Republikës së Kosovës për respektimin e marrëveshjes për vulat doganore në pikat 1 dhe 31. Edhe pikat doganore 1 dhe 31 do të funksionojnë si të gjitha pikat tjera kufitare të Republikës së Kosovës me rregullat e njëjta. Pra, procesi i implementimit të Planit operacional ka filluar me sukses në mëngjes. Doganierët dhe Policia e Kosovës, së bashku me atë të EULEX-it dhe KFOR-in tashmë janë në dy pikat kufitare. Unë edhe njëherë i ftoj të gjithë qytetarët për qetësi dhe maturi dhe të kenë besim të plotë në institucionet e Republikës së Kosovës, të kenë besim të plotë në partneritetin e institucioneve të shtetit të Kosovës me ato ndërkombëtare, EULEX-in, NATO-n, me mbështetjen e plotë të Quint-it, të vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne do të përmbushim detyrimet tona për rend dhe ligj. Vendimet dhe veprimet tona nuk kanë qenë dhe nuk janë as sot të drejtuara kundër askujt, kundër asnjë grupi etnik. Përkundrazi, ne duam që edhe qytetarëve tanë në veri t’u ofrojmë mundësi të barabarta dhe shprehim gatishmërinë e plotë që t’u shërbejmë të gjithëve në mënyrë të barabartë kudo që jetojnë pa dallim etnie. Më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës të ftoj Beogradin që përfundimisht të heqë dorë nga përpjekjet dëshpëruese për të destabilizuar rajonin dhe të pranojë njëherë e përgjithmonë se Kosova është e pavarur, sovrane, një dhe e pandarë. Qeveria e Republikës së Kosovës, shteti i Kosovës shpreh gatishmërinë e plotë për fqinjësi të mirë dhe perspektivë të përbashkët euroatlantike të gjitha vendeve të rajonit. Ne jemi të përkushtuar për bashkëpunim rajonal, si parakusht për procesin e integrimeve evropiane. Falënderoj KFOR-in dhe EULEX-in për angazhimin e tyre, dëshiroj të falënderoj gjithë këtë përkushtim të përbashkët vendor dhe ndërkombëtar. Vendosja e rendit dhe ligjit në veri është tashmë objektivë e jona e përbashkët. Dhe3 unë jam i bindur se bashkërisht do t’ia dalim ta ndërtojmë Kosovën e re, demokratike, Kosovën e shoqërisë demokratike, të demokracisë së zhvilluar, me krijimin e vendeve të reja të punës, me rritjen e mirëqenies sociale në Republikën e Kosovës. Prandaj, të nderuar zëvendëskryeministra, të nderuar ministra, ky ishte një informim i shkurtër për kabinetin qeveritar, nëpërmjet kabinetit qeveritar, për gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për fillimin e implementimit të Planit operacional me sukses këtë mëngjes në veri të Mitrovicës, pra në pikat doganore 1 dhe 31. Gjithashtu, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ne mirëpresim vendimin e Bosnjës për njohjen e vulave doganore të Republikës së Kosovës. Presim bashkëpunim të ngushtë në të ardhmen mes Prishtinës dhe Sarajevës, si d vende të pavarura. Dhe natyrisht në të ardhmen e afërt me njohje bilaterale.