Tiranë, 16 shtator 2011, NOA - Ujësjellësi i Tiranës, nëpërmjet një shkrese i ka kërkuar disa bashkive dhe komunave, që të shlyejnë detyrimet financiare ndaj këtij insitucioni. Ujësjellësi ka lidhur me këto njësi vendore kontratë për shitjen me shumicë të ujit, në bazë të së cilës “UKT” u shet me shumicë ujin e pijshëm këtyre njësive dhe ato e menaxhojnë vetë këtë sasi uji. “Në total disa njësi të qeverisjes vendore i detyrohen UKT-së rreth 470 mijë USD. Në këtë listë renditen, bashkia Kamëz me 245 000 usd, komuna Farkë me 41 000 usd, komuna Paskuqan 26 000 usd, komuna Bërzhitë 35 000 usd, komuna Zallherr 18 000 usd, komuna Bërxull 22 000 usd dhe komuna Vaqarr 8 500 usd”, thuhet në deklaratën për shtyp të UKT-së. Ujësjellësi i Tiranës, paralajmëron këto njësi vendore se, në rast të mosshlyerjes së detyrimit, do të ndërpritet furnizimi me ujë, duke respektuar kështu standardin e vendosur për çdo konsumator që nuk respekton kontratën. a.q/NOA