English

Barazpeshimet e Natasha Kandiçit?

Shkëlzen Gashi Më në fund ka hy në fazën përfundimtare projekti i Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), “Kosovo Memory Book (1998-2000)”. Ky projekt synon të botojë në disa vëllime të dhëna relevante për secilin të vrarë e të zhdukur të luftës së fundit në Kosovë: civilë shqiptarë, serbë, romë, boshnjakë e të tjerë; pjesëtarë të forcave ushtarako-policore serbo-jugosllave, e të grupeve të armatosura të shqiptarëve të Kosovës; por edhe anëtarë të grupeve politike të etnive të ndryshme, përfshi “kolaboracionistët” ose “shqiptarët e ndershëm”. Kjo përfshirje e shumanshme është njëri nga segmentet që e bën këtë projekt profesional. Vëllimi i parë i këtij projekti, që u promovua para disa ditëve në Prishtinë, e më pas në Beograd, përmban të dhëna për gjithë të vrarët e të zhdukurit e vitit 1998, kurse ata të viteve 1999 e 2000 kanë me u përfshi në pesë vëllime tjera, që parashihet të botohen deri në fund të vitit 2012. Një tjetër veçanti e këtij projekti është botimi jo veç në serbisht, që është versioni origjinal, por edhe në përkthimet shqip e anglisht, edhe pse në botimin shqip vërehet gati në çdo faqe që, pas përkthimit nga serbishtja, s’është bërë lekturë e redakturë e themeltë. Qyshdoqoftë, janë të paktën dy elemente që e vënë paksa në pikëpyetje objektivitetin e këtij projekti me rëndësi të jashtëzakontë. E para, edhe pse, sipas UNMIK-ut, konflikti i armatosur në Kosovë përfundon në korrik të vitit 1999, më duket korrekte që në këtë botim janë futë edhe të dhënat për të vrarët deri më 31 dhjetor 1999, pasi veç numri i të vrarëve sërbë në periudhën 12 qershor 1999 – 31 dhjetor 1999 është rreth një mijë. Por, vendimi për m’i futë në këtë projekt edhe personat e vrarë gjatë vitit 2000 nuk më duket adekuat, edhe pse sipas drejtoreshës së FDH-së, Nataša Kandić, ky vendim është marrë në bazë të analizimit të të dhënave për vrasjet e vitit 2000, të cilat, për të, rezultojnë nga konfliktet e armatosura. Kishte me qenë mirë sikur në hyrje të këtij vëllimi të ofroheshin informata lidhur me analizimin e të dhënave për vrasjet e vitit 2000, por edhe argumente që e mbështesin kualifikimin e këtyre vrasjeve si pasojë e konflikteve të armatosura. Fundja, nëse vrasjet gjatë vitit 2000 mund të cilësohen si konflikte të armatosura, a mund të vlejë e njëjta edhe për vrasjet e vitit 1997 dhe cila është arsyeja që personat e vrarë gjatë vitit 1997 nuk janë futë në libër? E dyta, në këtë libër, komunat e Kosovës, në të cilat ka pasë të vrarë gjatë vitit 1998, renditen alfabetikisht, ndërsa të vrarët në to renditen në bazë të kronologjisë së vrasjeve. Cili ka qenë kriteri që renditja e komunave të bëhet alfabetikisht, kurse renditja e të vrarëve kronologjikisht? Sipas renditjes që ka zgjedhë FDH-ja, të dhënat për vrasjet gjatë vitit 1998 në gati gjysmën e komunave të Kosovës nisin me të vrarë të kombësisë serbe. Vetë vëllimi i parë nisë me ish-komandantin e stacionit policor në Irzniq të Deçanit, pensionistin Slobodan Praščevići, i vrarë në Ratish të Ulët më 2 shkurt 1998. Zatën, kjo edhe ndikoi që një pjesë e mediave kosovare ta cilësojnë këtë projekt të FDH-së si tendencë për barazpeshim. Sidoqoftë, edhe pse renditja alfabetike e të vrarëve ndoshta do të ishte më praktike, megjithatë, renditja që ka zgjedhë FDH-ja nuk do të ishte, të them kushtimisht, problematike, sikur në parathënie të këtij vëllimi të përmblidheshin në dy-tre paragrafë shkeljet brutale të të drejtave të njeriut në Kosovë prej kur regjimi i Sërbisë e suprimoi autonominë e Kosovës (1989) e deri kur filloi lufta në Kosovë (1998). Po ashtu, meqenëse data e vrasjes është marrë si kriter për renditjen e të vrarëve në kuadër të komunave, si shpjegohet, fjala vjen, që të dhënat për të vrarët në komunën e Pejës fillojnë me një sërb të vrarë, ani se nuk dihet data e saktë e vrasjes së tij? Megjithëkëtë, shumë më keq qëndron puna me vëllimin e parë të monografisë rreth njëmijëfaqëshe “Krimet e Luftës në Kosovë 1998-1999”, botuar nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), me mbështetje të konsiderueshme financiare nga ministri të ndryshme të Qeverisë së Kosovës, që e bën KMDLNj-në organizatë poqeveritare. Për fat të keq, shuma e të hollave për këtë monografi është në shpërputhje me cilësinë e saj. Bile, mund të thuhet, po ashtu, se kjo monografi në pjesën më të madhe – me ndonjë përjashtim të vogël, si, bie fjala, punimet e profesorëve Pajazit Nushi e Zejnullah Gruda – është joprofesionale, e përgatitur shpejt e shpejt e sa për t’i arsyetuar mjetet përpara Qeverisë së Kosovës. Në këtë vëllim të KMDLNJ-së, jepen të dhënat elementare – emri e mbiemri, data e vendi i lindjes dhe i vrasjes, kryesi i krimit dhe përkatësia etnike e viktimës – vetëm për civilët shqiptarë të vrarë e të zhdukur në dymbëdhjetë komuna të Kosovës, duke përjashtuar serbët, romët, boshnjakët e të tjerët; personat e uniformuar serbë e shqiptarë; e, natyrisht, duke përjashtuar edhe “kolaboracionistët” shqiptarë. Këto të dhëna që ofron kjo monografi, e që mund të sigurohen shumë lehtë nga institucionet komunale, përbëjnë rrafsh gjysmën e këtij vëllimi të kësaj monografie. Ndërsa, një pjesë bajagi e konsiderueshme e monografisë është kompilim i raporteve të mëhershme të KMDLNj-së. Prandaj, kjo monografi, përveç joprofesionale e me të dhëna të pamjaftueshme për secilin të vrarë në luftën e fundit në Kosovë, është edhe joobjektive.

S’është veç faqosja, shtypi cilësor e publikimi në tri gjuhë, por edhe përfshirja e të vrarëve me statuse e përkatësi të ndryshme, e mbi të gjitha, shumësia e burimeve për rrethanat e gjithë të vrarëve – deklarata të dëshmitarëve apo familjarëve, materiale të proceseve gjyqësore, procesverbale të obduksioneve, artikuj të gazetave, të dhëna nga KNKK-ja, UNMIK-u, KFOR-i, UÇK-ja, institucionet e Sërbisë, e kështu me radhë – që e bëjnë botimin e FDH-së larg më profesional e më objektiv sesa botimi i KMDLNJ-së. Megjithë vërejtjet e përmendura më sipër, botimi i FDH-së ka me shërby, mes tjerash, si dokumenti më kredibil në analizat për shkeljet e së drejtës ndërkombëtare humanitare në luftën e fundit në Kosovë. Duhet thënë se ky projekt është pjesë e punës së FDH-së dhe zonjës Natasha Kandiç për zbulimin, ndriçimin dhe ndëshkimin e krimeve që kanë ndodhë në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi. NOA

KOMENTE