English

Dy vjet pushime

Nga Eni Vasili Të martën që shkoi përfundimisht mund të thuhet se 2 vitet e konvaleshencës pozitë-opozitë në Shqipëri mbaruan. Interpelanca me ministrin e Ekonomisë është shenja e parë e një opozite në Kuvend, e cila ka si qëllim të bëjë punën e saj. Të kërkojë llogari në emër të zgjedhësve për çdo problematikë që konstaton e ta vërë në vështirësi qeverinë sa më shpesh e sa më shumë ta shohë të arsyeshme.

Që nga tetori i 2009-s, kur opozita shpalli marrëdhënien e kushtëzuar me Parlamentin, kanë kaluar plot dy vjet. Dy vite të vështira për opozitën në rrugë, dy vite të vështira për mazhorancën me opozitën në rrugë. Por dy vite komode qeverisjeje, kur mungesa totale e opozicionit ndaj çështjeve konkrete të qeverisjes bëri që llogaridhënia e qeverisë ndaj atyre që e kishin votuar ose jo të ishte zero. Mungesa e opozitës, si një nga vertebrat kryesore që mbajnë drejt shtyllën kurrizore të një shteti, bëri që në këto dy vite asnjëri prej nesh të mos jetë i qartë se çfarë ka ndodhur me qeverisjen e vendit, sepse pakica nuk ishte aty për të kontrolluar shumicën, për ta vëzhguar atë. Këtë rol, më së shumti në këto dy vite e luajti media, më shumë ajo media e frymëzuar dhe më pranë opozitës, shpesh edhe e trembur nga pushteti.

Por sigurisht nuk është media ajo që ka për detyrë, apo është zgjedhur me votë për të bërë opozitën e qeverisë. Ajo është pjesë e sistemit dhe si e tillë nuk mund të mos jetë pre e interesave për vetekzistencën, apo e shijeve të padronëve. Megjithatë media ka bërë maksimumin e saj duke e kthyer opozicionin shpesh në qëllim në vetvete dhe duke deligjitimuar po aq shpesh luftën e saj, duke e bërë atë të pavlefshme sa kohë kauzat e saj kanë mbetur vetëm tituj kryesorë edicione lajmesh apo ballina gazetash, ndërkohë që opozita ishte e zënë me aksionet e saj politike.

Të rëndësishme apo jo këto aksione, të vlefshme apo jo rrugët që zgjodhi për zgjidhje, kjo është një analizë tjetër. Por këto vite të mungesës së saj në Parlament privuan vendin nga pasja e një opozite reale dhe i dhanë shansin qeverisjes së djathtë të ketë 2 vite krejtësisht të qeta prej ekzekutivi, por edhe një fajtor për t’i drejtuar gishtin për mungesën e reformave dhe gjithçka që nuk shkonte me integrimin.

Të vetmet arena të ndeshjes pozitë-opozitë mbetën gjatë dy viteve studiot e debateve televizive, ku të djathtë e të majtë takoheshin më së shumti për të fyer njëri-tjetrin sesa për të debatuar mbi çështje konkrete. Këto lloj debatesh e dëmtuan edhe më shumë frymën e vërtetë opozitare, duke degraduar shpesh në rrugaçëri verbale dhe lanë gjithmonë e më tepër në qetësi qeverisjen.

Partitë shpërndanë nëpër televizione “agresivët”, “kamikazët” apo “krahun e armatosur”, siç quheshin deputetët luftarakë mes moderatorëve të emisioneve politike. Të ushqyer nga mungesa e shoshoqit në ndërmarrjen e përbashkët, ku populli i votoi të punonin dhe nga zelli për t’i rënë në sy kryetarit, kushdo qoftë ai, debati politik u shterpëzua, duke i bërë shqiptarët sehirxhinj të zënkave banale mes politikanësh.

Pati dhe një kohë kur debati mungoi totalisht. Partitë tërhoqën “kamikazët” dhe në arenë zbritën analistët. Të detyruar nga koha e transmetimit, të detyruar nga pamundësia për të realizuar ndryshe një debat politik, ca me hir e ca me pahir, analistët u rreshtuan duke stimuluar debatet politike. Në këmbë të atyre që kishin votuar publiku pa të debatonin njerëz që në fund të fundit nuk kishin asnjë përgjegjësi elektorale.

Por seanca e së martës të bën të shpresosh që realisht 2 vitet e pushimeve që opozita i dhuroi mazhorancës morën fund. Debati politik iu kthye arenës së vet, sallës së Parlamentit. Interpelancat e herëpashershme nga ministrat në Kuvend, siç ka premtuar opozita, do të jenë një nga mundësitë e para që ministrat të nisin punën e t’i tregojnë opozitës dhe shqiptarëve se si dhe për çfarë po punojnë. Nëse ata nuk do ta bëjnë, siç ka frikë opozita, këtë do të dijë ta vlerësojë në 2013-n, ai shqiptari që në këto 2 vite ka punuar për të fituar bukën e gojës dhe ka parë se si kanë pushuar pozita e opozita të zgjedhur nga vota e tij dhe të mbajtur nga taksat e tij.

Edhe pse sprova e së martës tregoi për një trupë politike të tensionuar, ku secila palë donte të tregonte se nuk do ta ulte kokën e nuk do të bënte kompromise, qoftë edhe për 12 rekomandimet e Brukselit, mund të thuhet se ajo seancë është preludi i të shumëkërkuarit dialog. Sigurisht ky dialog do të ndodhë, sepse nuk ka më asnjë rrugë tjetër. Protestat, greva e urisë, ngjarjet përpara Kryeministrisë, asgjë nga këto nuk e ndryshoi kryeneçësinë e mazhorancës për të mos i bërë opozitës asnjëherë në këto 2 vite asnjë koncesion për kërkesat e listuara.

Gjatë këtij sesioni politika nuk e ka më luksin të na kthejë sërish në telespektatorë të zënkave banale me vetveten. Mazhoranca në këto 2 vjet do të përpiqet të bëjë maksimumin që në 2013-n t’u tregojë shqiptarëve se mbetet alternativa më e mirë, ndërsa opozita do të jetë e zënë të ndërtojë kursin e ri, të pastrojë vetveten, të shtrëngojë radhët e të ndërtojë për herë të parë, që nga koha kur u bë opozitë, programin dhe alternativën e vet qeverisëse. Por mbi të gjitha të jetë një zë në proceset e reformave që garantojnë një qeverisje të mirë dhe zgjedhje të pacenueshme më 2013-n. Gazeta "Shqip"

KOMENTE