Tiranë, 17 shtator 2011, NOA – Forumi i Avokatëve Për Drejtësi (FAD), reagon ndaj arrestimit të avokatit Vangjel Muzina nga Prokuroria dhe Gjykata e Durrësit duke e cilësuar një kërcënim të hapur dhe të motivuar politikisht. FAD përmes një deklarate dënon ashpër çdo lloj kërcënimi, keqpërdorim telefonatash apo çdo akt kriminal kundër punonjësve të drejtësisë, të cilët duhet të gëzojnë një status të posaçëm mbrojtje. “Masa e arrestit e dhënë ndaj av. Vangjel Muzina nuk përligjet nga asnjë aspekt ligjor dhe faktik, për rrjedhojë është i motivuar politikisht dhe bëhet thjesht dhe vetëm “për të zbutur” ngjarjen makabër kundër gjyqtarit të ndjerë Skerdilajd Konomi”, deklaron Forumi i avokatëve për drejtësi. FAD bën me dije se nuk mund të pajtohet me qëndrimet e papërgjegjshme të segmenteve të caktuara të sistemit të drejtësisë, të cilët sipas forumit të avokatëve, aktin terrorist kundër gjyqtarit Skerdilajd Konomi, kërkojnë “t’a shfryjnë” me arrestimin e Av. Vangjel Muzina. Sipas tyre Muzina është i akuzuar mediatikisht për kërcënimin e një gjyqtari të Gjykatës së Durrësit, ndërsa juridikisht për përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike dhe fyerjes së gjyqtarit. Sipas FAD-së prokurori i çështjes shkeli ligjin duke mos dhënë masën e sigurisë “arrest në shtëpi” siç ishte paraparë më herët në kërkesën e organit të akuzës për avokatin Muzina, por duke i kërkuar Gjykatës të jepte masën e sigurimit “arrest me burg me afat 30 ditor”. “Gjykata, në kundërshtim me ligjin, duke nëpërkëmbur edhe autoritetin e saj juridiko-moral, e miratoi këtë masë të dytë sigurie, duke anashkaluar faktin se arrestimi ndaj Av. Vangjel Muzina nuk ishte bërë në kushtet e flagrancës, çka e bënte aktin absolutisht të pavlefshëm”, thuhet në deklaratën e Forumit të avokatëve për Drejtësi. Sipas FAD-së, Av. Vangjel Muzina 64 vjeç ka një karierë të suksesshme pune prej 40 vjetësh në sistemin e drejtësisë, gjatë të cilëve ka kryer funksionet e prokurorit, të gjyqtarit dhe në fund të avokatit. FAD shpreh shqetësim lidhur me këto praktika të gabuara, arbitrare, diskriminuese, antikushtetuese dhe në kundërshtim me ligjin që janë krijuar dhe vazhdojnë të zbatohen prej segmenteve të caktuara të pushtetit ndaj institucionit të mbrojtjes ligjore në Republikën e Shqipërisë. mit/NOA