English

Gjeneral Gjunkshi: FA të gatshme për të përmbushur detyrimet e NATO-s

E shtunë, 17 shtator 2011, NOA- Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi gjatë konferencës së Komitetit Ushtarak të NATO-s, të mbajtur në Sevilje të Spanjës u shpreh se, Forcat e Armatosura Shqiptare janë të angazhuara maksimalisht për të përmbushur detyrimet e tyre, si dhe për të vazhduar kontributin e tyre në operacionet e NATO-s. Në vijim të fjalës së tij, Gjeneral Xhemal Gjunkshi vlerësoi edhe njëherë kontributin që NATO ka dhënë gjatë këtyre viteve për transformimin, modernizimin dhe trajnimin e Forcave të Armatosura Shqiptare, për të arritur standardet e kërkuara. Gjatë konferencës, Gjeneral Gjunkshi pati takime pune me disa SHSHP si atë të Spanjës, Turqisë, Greqisë, Kroacisë etj. Një takim i veçantë ishte edhe me Admiral Stavridis, Komandant i Komandës Operacionale të NATO-s si Komandant i Komandës Amerikane në Evropë, ku u diskutua për vazhdimin e mbështetjes së Forcave të Armatosura nga këto komanda në të ardhmen. Ndërkaq në seancat e tjera u bë një përmbledhje e operacioneve ku NATO-s është e angazhuar dhe së në fundmi Komandanti i Komandës së Aleancës për Transformim, Gjeneral Stephane Abrial paraqiti një pamje të përgjithshme të përfundimit të fazës së vlerësimit të iniciativës për ngritjen e kapaciteteve nëpërmjet bashkëpunimit shumë-palësh. Ky është takimi i tretë i këtij lloji i shefave të mbrojtjes për këtë vit, ndërkohë që për shefat e Shtabit të Përgjithshëm të Shqipërisë dhe Turqisë kjo është pjesëmarrja e tyre e parë. Takim i SHSHP i paraprin takimit në muajin tetor 2011, të Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s. Në këtë takim marrin pjesë njëzet e tetë shefa të mbrojtjes të NATO-s, por edhe nga vendet partnere si dhe Komandantët e Komandave kryesore të kryesuar nga Admiral James Stavridis dhe Komanda Supreme e Aleancës në Evropë Gjeneral Stephane Abrial. a.y/NOA

Në foto: Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi gjatë konferencës së Komitetit Ushtarak të NATO-s

KOMENTE