English

Kush është Teodor Pangallos

Nga Arben Llalla Teodor Pangallos lindi në vitin 1938 në Elefsina, një qytezë e banuar nga popullsi arvanitase. Ai është nipi i ish-Kryetarit të Greqisë më 19925-19926 gjeneralit me të njëjtin emër Teodor Pangallo. I rritur në një familje të madhe që ka luajtur rol të rëndësishëm në jetën ushtarake-politike në Greqi edhe Teodor Pangallo i riu vazhdoi rrugën për të qenë një nga figurat e njohura të jetës politikës greke. Pasi mbaroi gjimnazin vazhdoi studimet në Universitetin e Athinës ku u diplomua në drejtësi dhe ekonomi. Për disa vite ka punuar profesor në Universitetin e Parisit të Sorbonit dhe në atë të Athinës. Për herë të parë u zgjodh deputet i partisë Socialiste PASOK më 1981 në zonën e Atikis. Nga viti 1982-1984 ka qenë zëvendësministër i ministrisë së Tregtisë, nga 1984-1985 ka qenë zëvendësministër i jashtëm, 1985-1989 ministër plotësues i ministrisë së Jashtme, 1989-1993 përfaqësues i Greqisë në Këshillin Europian, 1993-1994 ministër plotësues i ministrisë së Jashtme, 1994 ministër i Transporti dhe i Lidhjeve, 1996-1999 ministër i jashtëm i Greqisë, 2000 ministër i Kulturës dhe zëvendëskryeministër e Greqisë 2009-. Është i martuar dhe babai i pesë fëmijëve. Teodor Pangallos gjithnjë nëpër intervistat që ka dhënë për shtypin grek ka pohuar krenarinë e tij që është arvanitas. Shpeshherë ka qenë pjesëmarrës nëpër aktivitetet kulturore që organizoheshin nga “Lidhja e Arvanitasve të Greqisë” duke përkrahur haptazi në Greqi çështjen kulturore të arvanitasve. Kur e ka parë të arsyeshme ka dhënë deklarata në mbrojtje të emigrantëve shqiptarë kur këta të fundit binin pre e ndjenjave raciste greke. Në fillim të vitit 2001 një prokuror në Greqi kërkoi heqjen e imunitetit të deputetit Pangallos, me qëllim që të gjykohej për një padi që kishin ngritur e një fshati në Selanik kundër tij. Fshatarët e fshatit Nea Mihaniona e paditën Teodor Pangallosin pasi i ka cilësuar fshatarët me epitete fyese, për shkak sepse fshatarët kanë reaguar ashpër kundër vlerësimeve të larta në shkollë që kishte arritur një nxënës shqiptar i cili duhej të parakalonte i pari në festën kombëtare greke. Më kujtohet shumë mirë ajo kohë kur djali i mikut tim Odise Zamir Cenaj u shpall nxënësi më i mirë i shkollës dhe duhej të parakalonte si flamurtar i pari në festën kombëtare greke, por shumë nxënës grekë dhe prindërit e tyre kundërshtuan me grevë po qe se nxënësi shqiptar parakalonte i pari para flamurit grek. Atëhere deputetit grek me origjinë shqiptare Teodor Pangallos i quajti këta fshatarë kundërshtues si: “idiotë, fytyra të pista”. Menjëherë pas kësaj deklarate në shtyp të z.Pangallos fshatarët e ofenduar të Nea Mihanionës kishin ngritur akt-padi. Pas disa muajsh prokuroria iu drejtua Kuvendit të Greqisë për heqjen e imunitetit të deputetit Pangallo, me qëllim që të niseshin procedurat e gjykimit të tij. Por koha tregoi që deputetët e Kuvendit grek nuk votuan për heqjen e imunitetit të kolegut të tyre. Kështu që akt-padia ra. Për ne humbja e gjuhës arbërishte është si të kemi humbur atdheun... Në tetor të vitit 2002 në sallën e Arkivit Folkloriko-Muzikor në Athinë u bë prezantimi i Antologjisë së Këngëve Arvanitase të Greqisë, përgatitur me kujdes nga këngëtari dhe muzikologu i shquar arvanitas Thanasi Moraiti. Midis shumë personalitete të shquara të jetës politike dhe kulturore arvanitase në Greqi që vlerësuar librin shkencorë foli edhe deputeti i PASOK-ut arvanitasi Teodor Pangallos, i cili tha për gjuhën mëmë të tyre arvanitase: “Për ne që u lindëm në shtëpi ku gjyshja jonë fliste arbërisht, këtë gjuhë që nuk është siç dëgjojmë të thonë sot ca karafilë, greqisht me ca fjalë të tjera, por është shqip, shqipja e pastër e shekullit XIV dhe këtë na e dëshmojnë edhe emigrantët e sotëm shqiptarë që ndodhen në Mesogjia dhe na thonë: “Ju flisni shqipen e vjetër”. Dhe kjo është shumë e logjikshme nga pikëpamja gjuhësore, pasi gjuha e shqiptarëve që u vendosën këtu në shekullin XIV, panë gjuhën e tyre të evoluojë në greqishten, dhe ajo që erdhi deri në ditët tona ishte idioma e vjetër e shqipes. Për ne humbja e gjuhës arbërishte është si të kemi humbur atdheun, sepse përmban një kulturë të cilën jo në kushtet e një shtypjeje, sepse arvanitasit nuk mund t’i shtypte kush në Greqi, ata udhëhiqnin Greqinë, ishin gjeneralë, kryeministra, presidentë dhe pronarë të kryeqytetit, jo në kushtet e një shtypjeje, pra, por vetë ata e “gëlltitën” të shkuarën e tyre, sepse në mënyrë fanatike qenë bindur se ishin grekë, dhe me ndihmën edhe të mësuesve arritën ta zhdukin gjuhën arbërishte, të cilën askush nuk e flet sot, të paktën nga mosha ime e poshtë. Tani, lavdi zotit, na kanë mbetur ende ca gjyshër e gjyshe që e flasin. Mirëpo është gjynah që kjo gjuhë të humbasë dhe besoj se puna që ka bërë Thanas Moraiti ndihmon që të mos jetë arbërishtja një atdhe i humbur. Duhet të dalin në dritë, gjuha, kultura, zakonet, doket, sepse përndryshe, po mbeti në errësirë do të jetë vërtetë një atdhe i humbur”. (VIJON...) Në Foto: Teodor Pangallos NOA/INA

KOMENTE