English

Maqedoni, rreth 500 fëmijë detyrohet të bëhen lypsarë

E shtunë, 17 shtator 2011, NOA- Një numër i madh i fëmijëve në Maqedoni kanë braktisur shkollat duke u detyruar dhunshëm nga familjarët e tyre të bëhen lypsarë. Ata që në hapat e parë të jetës mësohen të mbijetojnë duke e shtrirë dorën për lëmoshë para çdo kalimtari. Ky fenomen tani më ka marrë formën e krimit të organizuar, pasi edhe policia ka zbuluar një rrjet familjesh, kryesisht të përkatësisë etnike rome që jetojnë në udhëkryqet e qyteteve më të mëdha ku fëmijë detyrohen të kërkojnë lëmoshë. Sipas të dhënave të ministrisë së punës dhe politikës sociale janë rreth 500 fëmijë lypsarë që enden nëpër rrugët e qytetit. Për parandalimin e këtij fenomeni, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në bashkëpunim me policinë ka nisur një operacion për shkatërrimin e rrjeteve të lypsarëve, ndërsa fëmijët e kapur në rrugë dërgohen në qendrat për përkujdesjen ndaj tyre. Ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska, thotë se në aksionin e fundit rreth 50 fëmijë u larguan nga rruga. Situata më alarmuese është në qytetin e Kumanovës ku janë evidentuar 24 fëmijë lypsarë. “Ndaj 119 personave janë ngritur kallëzime penale, masa këto që kanë për qëllim të parandalojnë delikuencën tek fëmijët”, shprehet Jankulloska. Ministri i Punës dhe Politikës Sociale Spiro Ristovski, vlerëson se operacioni për tërheqjen e fëmijëve lypsarë nga rruga, është një aksion human që ka kryesisht për qëllim të parandalojë keqpërdorimin dhe jetën mizore të fëmijëve që janë pre e këtij krimi të organizuar. Organizatat për të drejtat e njeriut thonë se lypja e detyruar e fëmijëve është formë e shfrytëzimit të fëmijëve dhe është joligjore. Ata apelojnë që të mos u jepet para fëmijëve që lypin, sepse në këtë mënyrë përkrahet shfrytëzimi i tyre. (INA)/ NOA

KOMENTE