Prishtinë, 17 shtator 2011, NOA – Pas vendosjes së doganierëve të Kosovës në pikat kufitare në veri të vendit me shumicë serbe kundërpërgjigjet Serbia, e cila rikthen embargon me Kosovën duke mos zbatuar marrëveshjen e arritur në Bruksel për pranimin e vulave të ndërsjella doganore. Ndërkohë që institucionet e Kosovës kanë hequr masat reciproke ndaj mallrave serbe, një gjë e tillë ende nuk po zbatohet nga Beogradi zyrtar, i cili vazhdon të mbajë bllokadën ndaj bizneseve dhe mallrave nga Kosova. Zyrtarë doganorë në Merdare kanë bërë të ditur për Kosovapress, se përgjatë dy ditëve në pikën doganore në Merdare, në drejtim të Kosovës kanë hyrë 27 kamionë me prodhime serbe, ndërsa nuk është eksportuar asnjë produkt vendor për në Serbi, për arsye se Dogana e Serbisë nuk e ka lejuar një gjë të tillë. Udhëheqësi i Njësisë në Degën e Doganës në Merdare, Sherif Havolli, tha për Kosovapress, se nga dje e deri më sot në orën 16.00, në Kosovë kanë hyrë 27 kamionë me produkte serbe, që eksportonin kryesisht material ndërtimor, misër, bizele dhe rërë. Havolli konfirmoi se doganierët serbë, nuk i kanë lejuar dy kamionë që eksportonin prodhime kosovare të hyjnë në territorin e Serbisë, për shkak se posedonin dokumente të Republikës së Kosovës. “Deri më tash kanë hyrë 27 importe me origjinë të mallit nga Serbia, ku dominojnë kryesisht materialet ndërtimore. Pjesa më e madhe e tyre ka qenë rërë natyrale rreth 15 dërgesa, katër dërgesa kemi pasur me grurë, pesë dërgesa me bizele dhe 1 dërgesë ka qenë me misër, ndërsa dërgesat tjera kanë qenë me materiale ndërtimore, tjegull, etj.”, bëri me dije Havolli. Sipas tij, kamionët nga Kosova janë kthyer mbrapsht nga doganierët serbë me arsyetimin se nuk posedonin shkresë zyrtare nga Dogana Qendrore e Serbisë në lidhje me zbatimin e marrëveshjes për vulat doganore, të arritur mes Prishtinës dhe Beogradit, më 2 shtator në Bruksel. mit/NOA
Serbia rikthen embargon me Kosovën
-
xheki21:37 - 17 Shtator 2011nuk esht asgje e pazakonshme,serbet nuk dota ndrrojn kurr politiken e poshter,tflliqur ne dhe ata qe na udhheqin nuk duhet me lshu pe kurr...