Uashtington, 17 shtator, NOA - Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje të gjitha palëve në Kosovë “të shmangin veprimet e dhunshme” në veri të vendit. “Ne jemi sinqerisht të shqetësuar me situatën atje. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të ruajnë qetësinë dhe të përmbahen nga çdo lloj i retorikës nxitëse ”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mark Toner. Komentet e tij vijnë pas vendosjes së doganierëve dhe policëve të Kosovës e të EULEX-it në vendkalimet kufitare në veri, si dhe bllokimit të rrugëve nga ana e serbëve lokalë atje. Toner ka mirëpritur përpjekjet e KFOR-it dhe të policisë evropiane për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt, si dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave në kufirin Kosovë-Serbi. “Është e kuptueshme se lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave është në interes të Kosovës dhe Serbisë. Andaj, çdo postbllok dhe barrikadë shërben vetëm për të penguar dhe kufizuar jetën e përditshme të popullit të Kosovës e të Serbisë”, ka thënë Toner. NOA/RFE