E shtunë, 17 shtator 2011, NOA- Kryeparlamentarja Jozefina Topalli në vijim të vizitës në Uashington, takoi kongresmenin Eliot Engel. Gjatë këtij takimi Engel theksoi se Shqipëria ka befasuar me ecurinë e reformave dhe se paraqet një demokraci funksionale. Sipas kongresmenit Engell, Shqipëria ka bërë një ndryshim radikal, shumë më tepër se çdo vend tjetër në rajon. “Unë mbetem një mbështetës i palëkundur i Shqipërisë dhe Kosovës. Dyert e mia do të jenë gjithnjë të hapura për shqiptarët”, theksoi Engel i cili konsiderohet si një nga njohësit më të mirë të Shqipërisë qysh nga vitet ’90-të dhe mbështetës i fuqishëm i çështjes shqiptare. Nga ana e saj Topalli vlerësoi kontributin e kongresmenit Engel në mbështetje të demokracisë në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë në pavarësinë dhe krijimin e shtetit të Kosovës. Në vijim të takimeve të saj Topalli u prit edhe kongresmeni Jean Schmidt, i cili u shpreh se përgëzonte shqiptarët për progresin e arritur dhe u ndal në figurën simbol të shqiptarëve, të dashurisë dhe sakrificës njerëzore, në figurën e Nënë Terezës. Gjatë qëndrimit të saj në Uashington, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u prit në Capitol Hill nga stafi i ngushtë i Kryetarit të Kongresit Amerikan Xhon Bener, me të cilin pati një bisedë të shkurtër gjatë punimeve të Forumit Parlamentar për Demokraci. Topalli u takua me shefin e stafit Berri Xhekson dhe Këshilltarin për Politikën e Jashtme Xhen Stjuart. Xhekson dhe Stjuart ndanë të njëjtin mendim me kryetaren Topalli se Shqipëria nga një vend me represion të thellë, ka sot tregues të jashtëzakonshëm të progresit të demokracisë dhe ekonomisë. Gjatë bisedës me kryeparlamentaren Topalli, Xhekson dhe Stjuart, shprehën gatishmërinë për të pritur një grup të vogël deputetësh shqiptarë, për të parë si funksionon Kongresi Amerikan, procedurat parlamentare, sesa transparente janë ato dhe sesa e rëndësishme është që vota të jetë e hapur. a.y/NOA
Në foton kryesore: Kryeparlamentarja Topalli me kongresmenin Eliot Engel
Në foton e dytë: Kryeparlamentarja Topalli me kongresmenin Jean Schmidt