English

Veriu i Kosovës, BE, Ashton: Palët të vetëpërmbahen

Bruksel, 17 shtator 2011, NOA – Vetëm pak orë pas zbatimit të marrëveshjes në veri të Kosovës më 16 shtator dhe mospranimit të saj nga Serbia, kryediplomatja europiane Catherine Ashton ka paralajmëruar për rrezikun e shpërthimit të një dhune të re mes Kosovës dhe Serbisë. Përmes një deklarate për shtyp, zonja Ashton i kërkoi palëve në veri të Kosovës, Prishtinës dhe Beogradit që të vetëpërmbahen. Kjo deklaratë erdhi kur misioni i BE-së, EULEX-i mori nën kontroll dy pikat kufitare në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe në Jarinje dhe Bërnjak, sipas një plani të paraparë nga qeveria e Kosovës. Operacioni u zhvillua pa ndonjë incident, ndërsa doganierët dhe policët u bartën deri në këto pika me helikopterë të KFOR-it, pasi rrugët tokësore u zunë me barrikada nga serbët lokalë. Mediat e Kosovës bëjnë me dije se serbët po ngrenë një mur rreth 3 metra të lartë në rrugën Prishtinë- Rudër në Mitrovicë, i cili praktikisht bllokon çdo lloj transporti në atë rrugë për në Jarinjë. Ndërkohë zyrtarët e policisë së Kosovës thonë se situata e sigurisë në veri të vendit paraqitet e qetë dhe gjatë natës nuk është shënuar ndonjë incident. Situatë e qetë sipas tyre paraqitet edhe në dy vendkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinje dhe Bërnjak, ku të premten forcat e rendit në Kosovë dhe doganierët morën nën kontroll këto dy pika. Megjithatë, rrugët kryesore në veri të Kosovës vazhdojnë të jenë të zaptuara nga barrikadat e vendosura nga serbët lokalë. Po ashtu vijon të mbetet e mbyllur për qarkullim edhe ura qendrore mbi Lumin Ibër në Mitrovicë. Zëdhënësi i policisë së Kosovës në këtë qytet Besim Hoti, tha për DW-n se “Nuk është shënuar asnjë incident qoftë edhe i karakterit të izoluar. Për momentin fokusi i policisë është që mos të ketë ndonjë incident madhor apo të karakterit ndëretnik, për faktin se tensionet vazhdojnë të jenë të larta. Sa i përket zhbllokimit të rrugëve, ky plan do të koordinohet mirë, me misionin EULEX dhe forcat paqeruajtëse në të ardhmen”, thotë zëdhënësi Hoti. Mediat lokale serbe njoftojnë se gjatë natës së shkuar në veri të Kosovës ka mbërritur edhe shefi i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviç. Sipas mediave Stefanoviç deklaroi se Serbia i ka paraqitur një plan Bashkimit Evropian me një propozim për zgjidhjen e problemit në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, sipas të cilit policët e Kosovës dhe zyrtarët e doganave të Kosovës nuk duhet të jenë aty. DW/mit/NOA

KOMENTE