English

Vetëvendosje: Qeveria Thaçi po i bën qejfin Serbisë

Prishtinë, 17 shtator 2011, NOA – Kur në veri të Kosovës janë rishfaqur tensionet pas dërgimit atje të doganierëve dhe policëve të Kosovës në dy pikat doganore, Lëvizja Vetëvendosje akuzoi rishtas qeverinë e Hashim Thaçit se po i jep konçesione të reja Serbisë në Kosovë me shpresën se Beogradi do të pranojë pavarësinë e Kosovës. Në një deklaratë për shtyp lëvizja Vetëvendosje bën me dije se edhe pse qeveria e Kosovës është në shënjestër të strukturave ilegale në veri dhe se serbët i kanë bërë bllokadë mallrave të Kosovës, ajo po i bën qejfin Serbisë duke i dhënë koncesione në treg me 400 milionë euro. “Edita Tahiri i gëzohet edhe një raundi bisedimesh në Bruksel në fund të shtatorit, ndërsa Qeveria e Kosovës i jep afate shtesë Qeverisë së Serbisë duke shpresuar se me heqjen dorë nga shtetësia e Kosovës dhe me koncesione të reja do t’ia bëjë qejfin Qeverisë së Serbisë e do ta pajtojë atë”, thuhet në deklaratën e Vetëvendosjes. Lëvizja opozitare “Vetëvendosja” theksoi se “të premten, Qeveria e Republikës së Kosovës vendosi t’i hapë tregun prej 400 milionë eurosh edhe një herë Serbisë, pak javë pasi kishte vendosur për masat e reciprocitetit. Që nga dhjetori i vitit 2008, Serbia kishte vendosur të bllokojë mallrat e Kosovës për tregun e Serbisë edhe pse në sasi ato ishin dhjetëra herë më pak sesa që Serbia shiste në Kosovë. Qeveria e Kosovës kishte qëndruar e urtë edhe pas këtij sulmi ekonomik që Serbia i kishte bërë Kosovës”, thotë më tej Vetëvendosja. Sipas lëvizjes Vetëvendosja Qeveria Thaçi është e interesuar veçse për mbijetesën sot e nesër e jo për zhvillimin afatgjatë politik dhe ekonomik të shtetit të Kosovës. Në vijim lexoni deklaratën e plotë të lëvizjes Vetëvendosja mbi hyrjen sërish të mallrave serbe në Kosovë. Përderisa në veri të Kosovës po ndërtohen mure dhe realitet i ri, përderisa institucionet e Kosovës janë në shënjestër të strukturave ilegale, përderisa Serbia na sulmon në çdo institucion ndërkombëtar dhe kërcënon me dhunë dhe luftëra të reja, dhe përderisa doganierët serbë ndalojnë mallrat kosovare, Edita Tahiri i gëzohet edhe një raundi bisedimesh në Bruksel në fund të shtatorit, ndërsa Qeveria e Kosovës i jep afate shtesë Qeverisë së Serbisë duke shpresuar se me heqjen dorë nga shtetësia e Kosovës dhe me koncesione të reja do t’ia bëjë qejfin Qeverisë së Serbisë e do ta pajtojë atë. Të premten, Qeveria e Republikës së Kosovës vendosi t’ia hap tregun prej 400 milionë eurosh edhe një herë Serbisë, pak javë pasi që kishte vendosur për masat e reciprocitetit. Që nga dhjetori i vitit 2008, Serbia kishte vendosur të bllokojë mallrat e Kosovës për tregun e Serbisë edhe pse në sasi ato ishin dhjetëra herë më pak sesa që Serbia shiste në Kosovë. Qeveria e Kosovës kishte qëndruar e urtë edhe pas këtij sulmi ekonomik që Serbia i kishte bërë Kosovës. Tani, edhe njëherë, si edhe shumë herë më parë, Qeveria e Kosovës i vendosi interesat e prodhuesve serbë para atyre të Kosovës. Edhe njëherë vendosi që të ulet në tavolinë me Serbinë, t’i besojë asaj më shumë sesa që i beson fakteve në terren. Përkundër faktit që kamionët nga Serbia mund të hyjnë me tabela të Serbisë, dhe përkundër faktit që shoferët serbë mund të hyjnë me dokumente të lëshuar nga Republika e Serbisë, dhe përkundër faktit që në çdo dokument doganor të eksportuesve Serbisë Kosova trajtohet si pjesë e Serbisë, mallrat e Serbisë nuk ndalohen nga Qeveria e Kosovës. Në anën tjetër, për të eksportuar në Serbi, kompanitë kosovare duhet të marrin me qera kamionë nga një shtet i tretë apo nga Serbia për të kaluar nëpër Serbi, duhet të marrin shoferë me dokumente nga Serbia, dhe t’ia mësyjnë kufirit me rrezik e frikë se mos në dokumentet e tyre figuron ndonjë element i shtetit të Kosovës, qoftë me fjalë apo me simbole. Kjo u dëshmua edhe të premten dhe të shtunën, kur ata kamionë të paktë të Kosovës që u nisën për në Serbi u kthyen në kufi sepse në disa dokumente kishte shkruar Republika e Kosovës. Qeveria e Kosovës u përgjigj me një vendim arbitrar për të lejuar mallrat serbe deri të hënën, e më pastaj, në qoftë se nuk rregullohet, do të ndërmerren masa të tjera. Sikurse edhe në dhjetor të vitit 2008, edhe tani politika e Qeverisë së Kosovës është e udhëhequr nga interesat e bizneseve serbe, dhe partnerëve të tyre importues në Kosovë, e kundër interesit ekonomik të Republikës së Kosovës. Vendimi për të pritur deri të hënën pa ndonjë arsyetim të qartë politik, bazë ekonomike ose çfarëdo argumentimi tjetër racional na dëshmon edhe njëherë për politikat e padrejta dhe jozhvillimore të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Lëvizja VETËVENDOSJE! ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e qytetarëve dhe deputetëve të Republikës së Kosovës, se dialogu me Serbinë është i padrejtë, i panevojshëm dhe në kundërshtim me interesin e popullit të Kosovës. Koncesionet që Qeveria e Kosovës po ia bën Serbisë vetëm sa do të shfrytëzohen nga Serbia për ta luftuar shtetin e Kosovës dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Në vend se Serbia të kushtëzohet, asaj i jepen vikende shtesë për të shitur edhe më shumë mallra në Kosovë. Përderisa në veri të Kosovës po ndërtohen mure dhe realitet i ri, përderisa institucionet e Kosovës janë në shënjestër të strukturave ilegale, përderisa Serbia na sulmon në çdo institucion ndërkombëtar dhe kërcënon me dhunë dhe luftëra të reja, dhe përderisa doganierët serbë ndalojnë mallrat kosovare, Edita Tahiri i gëzohet edhe një raundi bisedimesh në Bruksel në fund të shtatorit, ndërsa Qeveria e Kosovës i jep afate shtesë Qeverisë së Serbisë duke shpresuar se me heqje dorë nga shtetësia e Kosovës dhe me koncesione të reja do t’ia bëjë qejfin Qeverisë së Serbisë e do ta pajtojë atë. Edhe sa vendime duhet t’i merr Qeveria e Serbisë kundër Kosovës për ta kuptuar Qeveria e Republikës së Kosovës se sa më shumë koncesione t’i bëjmë ndaj Serbisë aq më keq do sillen ata ndaj shtetit tonë. Edhe sa ditë shtesë duhet t’i japim afat doganave serbe për të kuptuar se Serbia është e interesuar vetëm në paratë e Kosovës e jo në pranimin e shtetit tonë dhe në respekt të ndërsjellë. Në mungesë të arsyetimeve racionale politike dhe ekonomike për këto vendime, na mbetet të konkludojmë që kjo Qeveri është e interesuar veçse në mbijetesën sot për nesër e jo për zhvillimin afatgjatë politik dhe ekonomik të shtetit të Kosovës. mit/NOA

KOMENTE