Tripoli, 17 shtator 2011, NOA - Besnikët e fundit të Muammar Gheddafit arritën të zmbrapsin një sulm të forcave kryengritëse në qytetin Bani Ualid, kështjellën e fundit të mbështetësve të regjimit. Tërheqja e rebelëve erdhi pas kundërpërgjigjes me raketa dhe armatim të rëndë nga ana e forcave të Gheddafit. Në qytetin Sirti forcat e Këshillit Kombëtar Tranzitor morën nën kontroll zonën përreth aeroportit, fare afër vendlindjes së kolonelit Gheddafi. Në kohën që në qytet po dëgjoheshin shpërthime, mbi të fluturonin avionë të NATO-s, të cilët kanë hasur gjatë natës në rezistencën e mbështetësve të Gheddafit. Zëdhënësi i kolonelit tha në një deklaratë për shtyp se qytetet Sirti dhe Bani Ualid janë një qëndresë e fortë në mbrojtje të lirisë së popullit libian. Ndërkaq kryengritësit po përgatiten për një ofensivë përfundimtare në këto dy qytete, e cila pritet të ketë mbështetjen e forcave të NATO-s. Pas marrjes nën kontroll të të gjithë territorit të vendit, Këshilli Kombëtar Tranzitor do të përcaktojë kohën kur vendi do të futet në zgjedhje si dhe referendumin për ndryshimin e kushtetutës. Këshilli i Sigurimit të OKB-së vendosi ndërkaq të lehtësojë sanksionet ndaj Libisë, pas njohjes nga asambleja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara të Këshillit Tranzitor Kombëtar si përfaqësues sovran i popullit libian. mit/NOA