English

Dinastia arvanitase

Nga Arben Llalla ‘’Gjysma e gjakut tim është shqiptar dhe jam krenar për këtë, admiral Kundurioti, admiral Seqellariu, gjeneral Kunduli dhe shumë grekë të tjerë të zgjedhur janë të gjithë me origjinë shqiptare’’.( gjeneral Teodor Pangallo president i Greqisë më 1925-1926)

Familja Pangallos është njëra nga familjet e mëdha të politikës në Greqi. Kjo familje e madhe është me origjinë shqiptare ose siç thirren shqiptarët e Greqisë Arvanitase. Nga fisi Pangallos kanë dalë dy figura të shquara të jetës politike dhe ushtarake në Greqi, gjenerali Teodor Pangallo që ka qenë Kryetar dhe Kryeministër i Greqisë në vitet 1925-1926, dhe nipi i tij me të njëjtin emër Teodor Pangallo i cili ka qenë disa herë në vitet 1990-2000 ministër i jashtëm dhe ministër i kulturës i Greqisë. Por sot do të flasim për gjeneralin e madh ish-Kryetar i Republikës greke Teodor Pangallos i cili lindi në vitin 1878 në ishullin e Salaminës. Ishull ky, që ende sot banojnë rreth 40.000 mijë arvanitas dhe flasin gjuhën shqipe në rrethin e tyre familjar. Ai mbaroi Akademinë e Luftës në Paris. Në vitin 1918 Teodoros Pangallos u bë kryetar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, dhe në vazhdim u bë ministër i Ushtarakëve në qeverinë e Gonatas. Në vitin 1925 me votëbesimin e Asamblesë së Pestë Kombëtare u zgjodh Kryeministër dhe më vonë më 18-4-1926 deri më 21-8-1926 ishte Kryetar i Republikës Greke.

Vdiq në Athinë në vitin 1952.

Në kujtimet e tij Kryetari i Greqisë Teodoros Pangallos do të shënonte: “Gjysma e gjakut tim është shqiptar dhe jam krenar për këtë, Admirali Kundruioti, Admiral Sekellariu, Gjeneral Konduli dhe shumë grekë të tjerë të përzgjedhur janë që të gjithë me origjinë shqiptare“.

Në fillim të vitit 1926 në Gjenevë Kryetari i Greqisë Teodoros Pangallos bëri një deklaratë zyrtare para Lidhjes së Kombeve me të cilën Greqia njihte minoritetin shqiptar në Greqi dhe nuk i quante më shqiptarët muhamedan që jetonin në territorin e saj si popullsi turke. Ai ndër të tjera deklaroi: “Pavarësia dhe statukuoja e Shqipërisë përbëjnë interes të madh për Greqinë, sepse politika e saj është bazë për ruajtjen e paqes në Ballkan...

Teza që është mbajtur nga ne deri sot se ortodoksit shqiptar janë grekë është e gabuar dhe e shkelmuar nga të gjithë. Me që ajo ka marrë të tatëpjetën dhe arriti pikën e rraskapitjes, mora masat e duhura dhe shpërndava të gjitha shoqëritë vorioepiriote që mëshironin skaje më ekstreme të këtij mendimi të sëmurë“.

Këto deklarata të gjeneral Pangallosit në Lidhjen e Kombeve vërtetonin edhe njëherë se ai vetë ishte mik i deklaruar i shqiptarëve por, mbi të gjitha, ishte i vendosur për të ecur përpara me çdo mënyrë në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, duke shpresuar se marrëdhëniet politike normale do të sillnin përfitime të rëndësishme ekonomike për Greqinë, me synim rilindjen ekonomike dhe zhvillimin tregtar. Deklaratat e para të kthimit në qëndrimin zyrtar grek u regjistruan në janar të vitit 1926, kur ambasadori i sapoemëruar grek në Tiranë z.Kondulis iu drejtua me një letër më 13 të atij muaji qeverisë shqiptare, duke pasur besimin, në emër të kryetarit të qeverisë greke Thedhoros Pangalos, se marrëdhëniet greko-shqiptare do të kishin një fryme të re bashkëpunimi. Pak ditë më vonë, më 18 janar, ambasadori shqiptar në Athinë, Mid’hat Frashëri mori premtimin nga ministri grek i Jashtëm se do të merrej ai personalisht me çështjen e shkëmbimit të çamëve, ndërkohe që vetë Pangallos i deklaroi se çamët myslimanë do të përjashtoheshin nga procesi i shkëmbimit. Një muaj më vonë, në shkurt të të njëjtit vit, u shpall dhe zyrtarisht vendimi për përjashtimin e të gjithë shqiptarëve të Epirit nga masa e shkëmbimit të detyruar dhe amnistinë e çamëve që akuzoheshin për kryerjen e propagandës politike, duke i dhënë në këtë mënyrë një zgjidhje përfundimtare çështjes, zgjidhje e cila sigurisht kënaqte në mënyrë absolute palën shqiptare. Si shkëmbim, Greqia e mori premtimin e qeverisë shqiptare për funksionimin pa pengesa të shkollave të minoritetit grek në Shqipëri, premtim i cili duhet përmendur asnjëherë nuk u vu në zbatim, por u arrit një marrëveshje për dërgimin e studentëve shqiptare në Shkollën Greke kursantë për oficerë.

Deklarimi i Kryetarit të Republikës Greke gjenerali Theodhoros Pangalos për të përjashtuar shqiptarët çamë të Epirit nga masa e shkëmbimit midis popullsisë turke myslimane me popullsinë kriastiane greke ishte vendimtar për ecurinë e të gjithë çështjeve. Përmbajtja e çështjes u zhvendos nga përcaktimi i prejardhjes dhe identiteti kombëtar të popullsisë myslimane të Epirit dhe nga përfshirja ose jo në masën e shkëmbimit të detyruar, në procesin e përfshirjes së saj në shtetin grek dhe respektin ose jo të të drejtave të saj nga autoritetet greke. Kështu, nga çështja “greko-turke”, tashmë zhvillohet tema që ka të bëjë me marrëdhëniet greko-shqiptare, të cilat do të ndikojnë dhe në periudhën e ardhshme në një shkalle shumë të lartë. Prezenca e myslimanëve çamë në Epir përbënte një rast të veçantë dhe një dokument të fortë bisedimesh që synonte të përdorte qeveria shqiptare me qëllim arritjen e një normalizimi të kënaqshëm të synimeve të saj ekonomike përsa i përkiste çështjes së pronave.

Ish-Kryetari i Greqisë Teodor Pangallos do të deklarohet edhe shumë vite më vonë që është një mik i shqiptarëve, një mbrojtës i miqësisë së vërtetë midis Shqipërisë dhe Greqisë. Shkrimi i mëposhtëm është shkruajtur nga vetë ai në kohën e provokacioneve të gushtit 1949, siç njihet në historinë e Shqipërisë, dhe botuar në gazetën “Akropolis“.

Në këtë shkrim gjenerali grek me origjinë shqiptare Teodoro Pangallos na sjell fakte të çmuara historike dhe politike për ngjarjet e rëndësishme që lidhen direkt me Shqipërinë dhe shqiptarët, për ndihmesën e vërtetë të shqiptarëve në jetën politike-ushtarake të Greqisë. Ai shkruan se shqiptarët që ne fillim të shekullit XX përçmoheshin nga grekët dhe politikanët e tyre, se si çamët janë përzënë kohe pas kohe me prapavijë shtetërore nga shtëpitë dhe trojet e tyre mijëravjeçare, jo vetëm mbas luftës së dytë botërore, por që nga viti 1910 e në vazhdim, shqiptarët janë dhunuar dhe masakruar nga grekërit në krahinën e Çamërisë. Edhe një herë Kryetari Pangallos na rikujton faktin se shqiptarët janë pellazgë, paraardhës të grekëve në Ballkan.

Shënimet e ish-Kryetarit të Greqisë Teodoros Pangallos

Për sa i përket fqinjit tonë Ballkanik, është më se e njohur dhe për këtë dëshmojnë arkivat e ministrisë së jashtme, se marrëdhëniet tona arritën gati-gati nivelin e një Konfederate, më 1925 dhe 1926.

Që nga koha e Esat Pashës dhe Ahmet Zogut, miku më i përzemërt i Shqipërisë jam unë.

Që nga mosha e foshnjërisë flas gjuhën shqipe, pse e ndjera nëna ime, që më rriti, nuk dinte greqisht. Ajo ishte vajza e më të madhit pasanik të Megaridës, Andon Birbilit, në shtëpinë e të cilit në Salaminë, la frymën e fundit mareshalli i paharruar Gjeorgjio Karaiskaqi.

Rrjedhimisht, gjysma e gjakut tim është shqiptar dhe jam krenar për këtë. Admiral Kundurioti, tre Nikolaidhët, gjyshi biri dhe nipi, gjeneral Konduli, admiral Saqellariu, heroi i nëndetëses “L.Kconi“ V.Lasko dhe shumë grekë të tjerë të përzgjedhur, janë që të gjithë me origjinë shqiptare dhe janë të njohura shërbimet që ata i bënë atdheut. Paparigopulos shkruan se nga të gjitha racat që erdhën në Greqi, përzierja me gjakun shqiptar prodhoi AMALGAMËN E SHKËLQYER. Hidriotët, Speciotët, Miaulët, Sahturi dhe mijërat e luftëtarëve të 1821-shit e deri më sot, dëshmojnë vërtetësinë e mendimit të Paparigopulit.

Më 1914, me fillimin e Luftës se parë Botërore, u ktheva në Greqi nga Franca ku kreva studimet dhe iu paraqita Eleftherios Venizellos, atëherë kryeministër dhe ministër i Ushtrisë, i cili më emëroi përgjegjës të shtabit në Divizionin e 8-të të Prevezës.

Venizellos më tha në mirëbesim se ka vendosur të pushtojë befasisht Epirin e Veriut (Gjirokastër, Sarandër, Himarën, Vlorën, shënim i A.Llalla). “Kam bindjen se do t’ia dalësh mbanë, pse flet edhe gjuhën e shqiptarëve“, shtoi. Atëherë isha major, shkova në Prevezë dhe pas pak ditësh mora një urdhër sekret, ku divizioni urdhërohej të pushtonte Epirin e Veriut, duke zbarkuar në portin e Sarandës. Politikani i madh, theksonte në veçanti nevojën e mbajtjes rreptësisht sekret nga italianët.

Operacioni u krye me rregull të plotë dhe u pushtua vija e vjetër në veri të Gjirokastrës. Kur pas pak ditësh shkova në Athinë, kisha natyrisht një kuvend të gjatë me kryeministrin dhe mbeta i befasuar se ky politikan demonik, që kishte vetëm tre vjet në Greqi, kishte kuptuar plotësisht rëndësinë jetike që kishte për Greqinë çështja e Shqipërisë. Mendimet dhe këndvështrimi i Venizellosit, qenë bazat kryesore ku mbështeta politikën që zbatova më 1925, e cila veç të tjerash kishte si rezultat të dërgoheshin djelmosha shqiptarë në Athinë për të studiuar në shkollën e jadetëve dhe atë të marinës.

Në fillim të korrikut 1925, marrëdhëniet me Shqipërinë u gjendën para krizës, për shkak të çështjes së Çamërisë. Përfaqësuesi i Shqipërisë erdhi në zyrën time dhe më njoftoi se autoritetet greke në mënyrë të dhunshme, dhe pa marrë parasysh marrëveshjen, dëbojnë banorët shqiptarë të asaj zone (Çamërisë shënim A.Llalla) dhe nëpërmjet detit i dërgojnë në Azinë e Vogël dhe kundërshtimeve të tyre u përgjigjen duke u thënë se ata janë të shkëmbyeshëm.

Shqyrtova dokumentat përkatëse dhe u binda që deklarimi i ministrisë së jashtme greke nuk qëndronte, pasi Marrëveshja e Lozanës përcaktonte prerë se shqiptarët muhamedanë të Epirit konsideroheshin minoritet dhe jo të shkëmbyeshëm, si turqit e Thrakës, etj. Për sqarim më të plotë të çështjes, i telefonova ambasadorit tonë në Londër Kaklamonos, i cili kishte përfaqësuar Greqinë gjatë hartimit të Marrëveshjes së Lozanës dhe ai m’u përgjigj pa ngurrim se çamët nuk janë të shkëmbyeshëm dhe rrjedhimisht vendimi i ministrisë së jashtme nuk qëndronte.

Thirra me një herë drejtorin përkatës dhe ai tha diçka që më la me gojë hapur:

“Formalisht shqiptarët kanë të drejtë, mirëpo arsyet emergjence dhe qëllimi kombëtar na detyrojnë të dëbojmë shqiptarët për t’u zbrazur fshatrat e tyre dhe për t’u vendosur refugjatët tanë homogjenë që kanë ardhur nga Azia e Vogël. Nuk ia vlen të merremi me 5-6 mije paloshqiptarë (shqiptarë të këqinj shënim i. A.Llalla) zoti Kryetar“.

Mezi e mbajta veten dhe nuk e nxora përjashta me shkelma diplomatin. Ndërkaq, sipas raporteve të autoriteteve policore në Epir po luhej një dramë e vërtetë; fshatarët duke qarë ndaheshin nga shtëpitë e tyre ku kishin lindur dhe jetuar ndër shekuj dhe hipnin në anijet që do ti shpinin në Azinë e Vogël. Dhashë urdhër të zbriten dhe të kthehen të lirë në fshatrat e tyre.

Shqiptarët, ashtu si gjithë popujt e pazhvilluar, kanë dobësi serioze, por kanë edhe virtyte të shkëlqyera. Ky fakt ishte shkaku që ndërmjet dy vendeve tona u vendosën marrëdhëniet kaq të përzemërta, të cilat morën, siç do shohim, pothuaj trajtën e një konfederate. Mbreti Ahmet Zogu, nëpërmjet një letre të ngrohtë, më shprehte mirënjohjen, që siç thoshte, nuk do ta harronte kurrë. Dhe vërtetë, deri në ditën e largimit të tij nga fronti, sa herë që vinte ndonjë përfaqësues shqiptar në Greqi, me porosi të Zogut, vinte dhe në shtëpinë time dhe më sillte përshëndetjet e Mbretit, duke më thënë në shqip “Vëlla i madh“. Dhe unë atëhere nuk isha veç një gjeneral i çmobilizuar. Kjo është ajo që në shqipe quhet “BESA“.

Po ti hedhim një vështrim të shpejtë në hartën e Ballkanit, mjafton për të kuptuar rëndësinë strategjike të Shqipërisë.

Për Greqinë, një Shqipëri mike dhe aleate përbënë një mburojë natyrore të madhe, kundër çdo sulmi nga Veriu.

Kur u vendosën marrëdhëniet miqësore dërgova si ambasador të Greqisë në Tiranë gjeneralin Aleksandro Konduli, bashkëqytetar i imi që dinte shkëlqyeshëm jo vetëm shqipen tonë, atë të Shqipërisë së Jugut, por edhe idiomat e gegëve. Brenda një kohe të shkurtër Konduli arriti të fitojë miqësinë e mbretit shqiptar Ahmet Zogut.

Brenda vitit u nënshkruan katër marrëveshje ndërmjet të dy vendeve; ajo konsullore, nënshtetësisë, bashkëpunimi tregtar dhe detar, për dërgimin e kriminelëve etj. Përveç këtyre marrëveshjeve, kishin përparuar shumë bisedimet e fshehta. Kufiri në mes të dy vendeve, në të vërtetë ishte hequr dhe djemtë shqiptarë siç e thashë dhe më sipër, u dërguan për studime në shkollën e kadetëve dhe atë detare. Në korrik 1926, pas bisedimesh të gjata, gjenerali Konduli arriti në marrëveshjen përfundimtare për çështjen e Bankës së Shqipërisë, Mbreti Zog pranoi si aksionere Bankën e Greqisë me 25% të aksioneve.

E kuptoni rëndësinë e madhe të këtij fakti. Nuk diskutohet fare se, po të ndiqej një politikë e studiuar dhe e qëndrueshme ndaj Shqipërisë, Shqipëria do të ishte jo armike, por do mund të ishte mikja më e mirë, më e çmuar dhe e vetmja besnike e Greqisë në Ballkan. Nga pikëpamja racore shqiptarët nuk janë as mongolë, as sllavë, as turq. Është historikisht e vërtetuar se ata janë Ilirë, pasardhës të Pellazgëve.

Shqiptarët nuk kanë asgjë të përbashkët me italianët, me serbët, bullgarët, por përkundrazi, gjaku, traditat dhe zakonet, i ndërlidhin ngushtë me popullin grekë.

Miauli, Kundurioti, Sahturi, Odiseas Andruços dhe mijëra grekë të tjerë me origjinë shqiptare luftuan me heroizëm për pavarsinë e Greqisë në kryengritjen e 1821-shit.

Profesori i Universitetit të Mynihut, historiani Hertzbert, në librin e tij mbi historinë e Kryengritjes, shkruan ndër të tjera se: “Pak ditë pas ngritje së flamurit të kryengritjes, në prill 1821, 1.500 shqiptarë të krishterë, banorë të fshatrave të Dervenit, u mobilizuan nënkomandën e Haxhi Meletit në Korinth kundër Qamil Beut të tmerrshëm“. Nuk qenë shqiptarë ushtarët që përmend Hertzberti, por ishin shqipfolësit gjyshërit e stërgjyshërit tanë që banonin në Vila, Kindira, Mandra, Elefsina. Qenë gjyshërit e gjeneralëve Nikolaidhit, Kondulit, Roka, të autorit të këtyre rreshtave, të admiralit Sakelariut, të heroit kombëtar Laska, dhe kaq e kaq grekëve të zgjedhur, me origjinë shqiptare.

A nuk kisha të drejtë, kur dëgjova drejtorin e përgjithshëm të thoshte, ’’paloallvani’’ (shqiptar i keq, shënim i A.Llalla) të thoshja dhe unë se ministria e jashtme ishte një çmendinë? Kur fliste kështu drejtori i përgjithshëm, e marrë me mënd se si qenë vartësitë e tij të afërt. Askush nuk e di se çfarë të papriturash na ruan e ardhmja. E gjykova si detyrë të bëja përshkrimet e mësipërme, që të mësoj populli grek pamjen e përgjithshme të problemit. Nuk jam dakort me atë pjesë të shtypit, që shan dhe përbuz popullin shqiptar. Kam bindjen e patundur se shumica dërrmuese e popullit shqiptar nuk mban asnjë lloj përgjegjësie për prirjen kundër greke të qeverisë komuniste. Jam i sigurt se shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk i dinë as si emra Markësin, Leninin, Stalinin etj.

Në përfundim duhet thënë se kur Teodor Pangallos ishte në krye të shtetit grek marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë kanë qenë më të mira deri më sot. Atëhere u nënshkruajtën disa marrëveshje midis dy vendeve si , 1.- Konventa e Eksatradimit, e cila kish fuqi për kthimin reciprok për të gjithë llojet e kriminelëve, duke filluar nga vjellsit deri tek vrasësit, përveç atyre që kishin lidhje me bindje personale politike.

2.- Konventa Konsullore e përbërë nga dy pjesë. a) Sanksiononte lirinë e shqiptarëve dhe grekëve të ushtronin profesione tregtie dhe shërbimesh të ndryshme në territoret e shteteve të njëri-tjetrit me të drejta si vendasit dhe pa paguar taksa, me të drejtën për të fituar prona të tundshme e të patundshme. b) se cila palë ka të drejtë të vendoste në portet dhe qytetet e shtetit tjetër konsullata, të cilat do mbronin të drejtat e shtetasve të tyre në shtetet ku ishin vendosur dhe të kryenin veprime administrative si legalizime kontratash, akte pasurie, shitje, lindje, vdekje etj.

3.- Traktati i Tregtisë dhe Lundrimit me anë të cilit shqiptarët dhe grekët kishin të drejtë të vendoseshin në territoret e njëri-tjetrit për tregti, ushtrimin profesioneve dhe ngritjen e shoqërive të ndryshme.

4.- Shtetasit me banim deri 15 km, larg vijës së kufirit fituan të drejtën të punonin brenda ditës në vendin fqinj pa taksa dhe formalitete doganore, por vetëm me deklarata gojore ose të pajisur me leje kalimi nga autoritetet vendore ku jetonin.

KOMENTE