English

Lideri i LSDM: Maqedonia ka nevojë për zgjedhje të reja

Shkup, 18 shator 2011, NOA - Lideri i partisë më të madhe opozitare në Maqedoni LSDM, Branko Cërvenkovski nuk përjashton zgjedhje të shpejta të parakohshme në Maqedoni. Këtë deklaratë ai e dha gjatë një interviste për radion Evropa e Lirë, duke nënvizuar se pritshmëritë e partisë së tij janë se në Maqedoni do të pasojnë zgjedhje të parakohshme, për shkak të rritjes së pesimizmit. “Kemi pesimizëm duke ndjekur se në cilin drejtim po shkon vendi. Pas zgjedhjeve të 5 qershorit, qeveria e vjetër e re me një krye Gruevskin nuk bëri asnjë korrektim apo ndryshim të qasjes së saj, po vijon me politikat e njëjta, ku situata po përkeqësohet, tensionet politike po rriten dhe kriza politike është e pashmangshme dhe kuptohet se mënyra për shmangur këtë janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Maqedonia është një shtet që çdo ditë po bëhet sa më pak e lirë dhe sa më pak demokratike, duke u larguar nga përcaktimet strategjike evroatlantike”, deklaroi Cërvenkovski. Sipas tij, opozita do të vazhdojë betejën e saj institucionale për të shfaqur kritikat ndaj kursit të gabuar të pushtetit aktual, por Cërvenkovski shtoi se në rast se pamundësohet demokracia në institucione, atëherë do të përdoret demokracia e rrugëve dhe ky do të jetë një veprim politik i opozitës. Lidhur me veprimin e partisë shqiptare BDI në Qeveri dhe për hapat e mëtejshëm, Cërvenkovski theksoi se nuk e di se çfarë do të bëjë kjo parti dhe se qëndrimet e tyre nuk bazohen në pritjet që mund të ndodhin nga hapat e ndërmarrë nga BDI. Sipas tij, ashtu sikur Gruevski që ndau përgjegjësinë për amnistimin e rasteve të Hagës, ashtu edhe Ahmeti do të ndajë përgjegjësinë për bllokimin e proceseve euroatlantike. a.q/NOA/ Evropa e lirë

KOMENTE