Tiranë, 18 shtator 2011, NOA – Nën akuzën e deklarimit të rremë dhe vjedhjes përmes mashtrimit e falsifikimit janë prangosur nga Policia e Fierit tre persona të një kompanie që transportonin në mënyrë të paligjshme naftë bruto me dokumente të falsifikuara. Ka qenë zëdhënësja e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit Klejda Plangarica që deklaroi të dhënat e këtij operacioni ku përveç tre të arrestuarve janë nën hetim edhe 11 të tjerë, ndërsa për detyrim paraqitjeje dy persona të tjera. Plangarica bëri me dije se tre të arrestuarit e operacionit “Kompania guaskë” janë Besnik Resmi Murataj 37 vjeç lindur dhe banues në Fier, i dënuar më parë për një tjetër vepër penale, me profesion inspektor ne Drejtorinë e Shërbimeve Operacionale, pranë Autoritetit Portual Durrës; Ervis Bahri Sinanaj 32 vjeç, lindur dhe banues në Fier, me profesion ekonomist dhe Dyleman Safi Qerimi 58 vjeç, lindur në Derjan të Matit dhe banues në Tiranë, i dënuar tri herë më parë për veprat penale të vjedhjes dhe moskallëzimit të krimit, me profesion shofer. Masa e detyrimit të paraqitjes është dhënë për dy shtetasit Vangjel Todi Profka 58 vjeç, lindur dhe banues në Fier, me profesion shofer si dhe Sotiraq Nikollaq Sallaku 51 vjeç, lindur dhe banues në Fier, edhe ky me profesion shofer. Policia njofton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri - tjetrin në prill të 2010-ës kanë krijuar një Shoqëri Tregtare me objekt tregtimin me shumicë të karburanteve, nëpërmjet një skeme mashtrimi për një periudhë gati katër mujore, dhe kanë fshehur aktivitetin real të transportit të naftës bruto përmes dokumenteve të falsifikuara, duke shkaktuar një evazion në një vlerë të konsiderueshme. Përfaqësuesit e kësaj shoqërie, në kundërshtim me ligjin, kanë lidhur dhe ekzekutuar një kontratë për blerje nafte bruto nga shoqëria “Stream Oil Gas”, e cila nuk rezulton të jetë dërguar për përpunim. Shtetasit e mësipërm akuzohen se kanë konsumuar veprat penale të “Vjedhjes me anë mashtrimit, më shumë se një herë dhe në shuma te konsiderueshme”; “Falsifikimit të formularëve, stampave dhe vulave” dhe “Deklarimit të rremë”. Ndërkohë mësohet se nën hetim në gjendje të lirë janë përfshirë edhe njëmbëdhjetë persona të tjerë. mit/NOA