Fier, 18 shtator 2011, NOA - Pas një hetimi disa mujor, në bashkëpunim me Policinë e Përgjithshme të Shtetit, u bë e mundur arrestimi i shtetasve: 1. Besnik Murataj, i dyshuar për veprat penale të “Pastrimit të produkteve të veprës”, në bashkëpunim, “Mashtrimit”, në bashkëpunim. 2. Dylejman Qerimi, i dyshuar për veprat penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, në bashkëpunim dhe “Mashtrimit”, në bashkëpunim. 3. Ervis Sinanaj, i dyshuar për veprat penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, në bashkëpunim, “mashtrimit”, në bashkëpunim, dhe “Fallsifikimit të dokumentave”. 4. Vangjel Profka dhe Sotiraq Sollaku, të dyshuar për veprat penale të “Moskallëzimit të krimit”, Fallsifikimit të formularëve vulave dhe stampave”, dhe “Deklarimit të rremë përpara prokurorit”. Ndaj personave të lartëpërmendur, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor, Fier ka nxjerrë urdhër arrestet, pasi: në muajin Prill të vitit 2010, shtetasi Besnik Murataj, në bashkëpunim me shtetasin Ervis Sinanaj dhe Dylejman Qerimi, kanë konstituar një shoqëri tregtare “Guaskë”, inekzistente, të cilën e kanë rregjistruar në Qëndrën Kombëtare të Regjistrimit, me administrator Selman Doçin, dhe emrin e shoqërisë “Mobil Albania, me numër NIPT L02806405S, me objekt veprimtarie private në fushën e tregtisë me shumicë e pakicë, import eksporte të prodhimit të mobiljeve, mallrave të ndryshëm industrialë, mobilje zyrash, prodhim dhe tregtim materialesh ndërtimi. Kjo shoqëri është krijuar prej tyre me qëllim futjen në qarkullim dhe mbulimin e natyrës së krijimit të shumës se lekëve prej 50.000.000 lekë të reja. Kjo është bërë e mundur të realizohet prej tyre, vetëm pasi kanë siguruar një person të papunë dhe në gjendje tepër të vështirë ekonomike, shtetasin Selman Doçi. Atij i kanë premtuar që në shkëmbim të krijmit të kësaj shoqërie, do t’i krijonin atij një shoqëri tjetër të vetën ku fitimet do t’i kishte të gjitha për vete Selmani, dhe përpos kësaj, kundrejt ardhjes që ky i fundit do të bënte në Fier për të plotësuar dokumentacionin, do ti paguanin atij një rrogë mujore prej 100.000 lekësh.
Sipas njoftimit të prokurorisë së përgjithshme, shoqëria “Mobil Albania”, rezulton të ketë kryer blerje te naftës bruto te shoqëria Stream Oil Gas, l.td, në shumën prej 31.000.000 lekëve. Subjekti Mobil Albania ka shitur 210.181 m3 naftë, me cmimin 46 lekë/kg, që kap vlerën 9.668.331 lekë.; Ndërkohë që rezulton që ky subjekt nuk ka deklaruar shitje sasinë prej 1266.562 ton. Shoqëria Mobil Albania ka shmangur të gjitha detyrimet tatimore, të detyrueshme për tu paguar. Kështu nuk rezulton të jetë paguar akciza e pagueshme për sasinë e shitur prej 1.476.743, lëndë djegëse, në bazë të ligjit nr.8976., datë 12.12.2002,”Për akcizën në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar. Po kështu, kjo shoqëri nuk ka paguar as TVSH-ën, Tatimin mbi të ardhurat apo sigurimet shoqërore, duke shmangur në këtë mënyrë të gjitha detyrimet ligjore, që kapin shumën 15.986.415 lekë. Kjo shoqëri, është krijuar për të shmangur të gjitha detyrimet tatimore, të cilat kapin vlerën 15.986.415 lekë (fshehje akcize + tatim fitimi + TVSH + sigurime shoqërore). Vlen të theksojmë faktin se, shtetasi Dylejman Qerimi ka shërbyer si ndërmjetës kryesor për të lidhur shtetasin Besnik Murataj me shtetasin Selman Doçi. Dylejmani është favorizuar për të bërë ndërlidhjen nisur nga fakti që me Selmanin njiheshin se ishin bashkefshatar dhe kishte dijeni për gjëndjen e vështirë të tij ekonomike. Po ashtu i gjithë dokumentacioni është përpiluar nga shtetasi Ervis Sinanaj, me profesion ekonomist dhe me njohuritë e duhura ligjore. Të gjitha transaksionet bankare janë kryer nga shtetasi Ervis Sinanaj, ndërkohë që janë nënshkruar nga ana e shtetasit Selman Doçi. Shtetasi Ervis Sinanaj, veprimet bankare i ka kryer ne BNT, duke u ndihmuar nga fakti se drejtor i kësaj banke ishte vëllai i tij, shtetasi Ilir Sinanaj. Hetimet në lidhje me këtë procedim janë në vazhdim, për persona të tjerë si të implikuar në lidhje me këtë ngjarje. a.q/NOA