Nju Jork, 18 shtator 2011, NOA – Në prag të sesionit të 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork, Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun, i dha mbështetjen e tij Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në të gjithë vendin. Në takimin që pati sot delegacionin shtetëror të Kosovës, Ki-Moon ripërsëriti mbështetjen e tij ndaj procesit për vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin duke kërkuar vazhdimin e dialogut me Serbinë. Delegacioni shtetëror i Kosovës, i përbërë nga presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, gjatë takimit me Sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki-Moon folën për zhvillimet më të fundit në veri të vendit dhe tensionin e shkaktuar nga serbët lokalë pas vendosjes së policëve dhe doganierëve të Kosovës në dy pikat kufitare në veri. Në këtë takim autoritetet e larta të Kosovës informuan Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së se doganierët e Kosovës u dërguan në veri të vendit në bashkëpunim me EULEX-in dhe KFOR-in, me qëllimin për të vendosur rendin dhe ligjin edhe në këtë pjesë të vendit e banuar nga shumicë serbe. Delegacioni shtetëror i Kosovës i kërkoi Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së përkrahjen e tij ndaj institucioneve legjitime të Kosovës për ta shtrirë rendin dhe ligjin në veri. Ata kërkuan që Ki-Moon t’i bëjë presion Serbisë që të heqë dorë nga mbështetja që po u jep strukturave paralele serbe në veri. mit/NOA