English

Parashikimi i motit për 18 shtator 2011

Tiranë, 18 shtator, NOA - Sipas MeteoAlb, sot masat ajrore të ngrohta dhe të lagështa me origjine oqeanike do kushtëzojnë mot të paqëndrueshëm në vendin tonë. Vranësirat do të jenë të pranishme pothuajse në të gjithë vendin, por më të dendura në zonat malore përgjatë kufirit lindor, të cilat do të gjenerojnë shira me intensitet mesatar. Ndërsa bregdeti dhe zona e ulët do të kenë vranësira dhe intervale të shkurtra kthjellimesh. Gjate pjesës së dytë të ditës do të ketë shtim të vranësirave dhe shirave në verilindje dhe juglindje të territorit, ndërsa e gjithë pjesa tjetër e vendit është dominuar nga alternime kthjellimesh dhe vranësirash. Gjatë natës vranësirat dhe shirat do të shtrihen në pjesën më të madhe të vendit. Situata termike nuk ka patur ndryshime të dukshme, temperaturat e ajrit do të qëndrojnë konstante në të dy vlerat ekstremale. Era do të fryjë mesatare në toke dhe në det, me shpejtësi 33 km/h dhe drejtim Jugperendimor duke gjeneruar në brigjet e Adriatikut dhe Jonit dallgëzim 2 ballë. Europa Masat ajrore të ftohta dhe të lagështa që vijnë nga Deti i Veriut janë vendosur në Europen Veriperendimore duke u shtrire deri në qendër të kontinentit dhe për pasojë në të gjitha këto pjesë të Europës do të ketë mot të paqëndrueshëm me vranësira dhe shira. Konkretisht Britania, Franca dhe Gjermania kane përjetuar rrebeshe shiu të shoqëruara me stuhi të forta ere dhe rrufe. Vranësira dhe shira me intensitet të lartë ka patur në vendet Balltike dhe në zonën e Alpeve, ku shirat kanë mbetur prezent gjatë gjithë ditës së sotme, ndërsa përsa i përket pellgut të Mesdheut masat ajrore të ngrohta dhe të lagështa kane bërë që në një pjesë të Mesdheut të ketë vranësira dhe shira të dobët, por kthjellimet janë dominuese në pjesën më të madhe të mesdheut. Moti i kthjellet do të dominojë Europen Jugperendimore si edhe një pjesë të Europës Lindore. a.k/NOA

KOMENTE