English

Problemi është qeveria

Nga Preç Zogaj

“Problemi është qeveria”. Kjo shprehje i atribuohet ish-Presidentit amerikan, Ronald Regan. Është një konceptim tipik i politikanëve që kanë kulturën e fokusimit në thelbin e gjërave. Këtë shprehje citoi pak ditë më parë kryeministri Berisha, sipas zakonit të tij, për të thënë gjërat e duhura, por për të mos bërë gjënë e duhur. Mediat proqeveritare, që krijojnë lajme dhe realitete me shumicë deri edhe me shakatë dhe mufkat e kryeministrit, e lanë të kalonte në heshtje artikulimin e tij më të rëndësishëm të kësaj periudhe. A thua se gjërat serioze që ai thotë nuk merren më seriozisht prej tyre.

Ndërkaq, vetë Berisha nuk shfaqi ndonjë shqetësim dhe nuk tentoi t’i fuste në temë mediat e tij, siç pat bërë me një bejte nga satirat e Arshi Pipës që dëshironte t’ia postonte Edi Ramës. Berisha u merakos shumë që mediat e tij nuk i kishin rënë në të se cilën bejte kishte në mendje. Apo, thënë ndryshe, po e gjenin gabim kuitzin që ai fshihte në njërën dorë. Më kot i nxiti ta gjenin saktë. Ata prapë gabuan. Kurse për pohimin e pazakonshëm dhe të drejtë se qeveria është problemi, Berisha nuk e vuri ujët në zjarr për t’i bërë ndopak jehonë. Nuk e vuri ujët në zjarr sepse, me sa duket, e ka thënë sa për të zbukuruar një bisedë, pra sa për t’u dukur dhe jo se ka reflektuar e ndryshuar mendje në lidhje me përgjegjësitë e qeverisë në raport me ato të opozitës. Gjithsesi, pavarësisht pse thuhet e si thuhet, me sinqeritet apo me demagogji, ekziston në politikë kjo aksiomë: Problemi është qeveria.

Po, problemi është qeveria. Problemi nuk është opozita. Një pohim si ky, kaq elementarë, tingëllon si diçka e re dhe e veçantë në gojën e kryeministrit për faktin se ai vetë, qeveria dhe shumica e tij, rëndom nuk bëjnë gjë tjetër veçse opozitën e opozitës. Të merret qeveria tërë kohën me opozitën, të shmangë dhënien e llogarisë para opozitës me lloj justifikimesh dhe alibish- ky është një deformim i madh në gjithë ndërtesën e organizimit demokratik të shoqërisë. Në fakt, një qeveri që nuk i përgjigjet një me një opozitës së saj, por vetëm e sulmon, e shan, e denigron, e dhunon dhe e vjedh në votime është një qeveri vetëm e korruptuar. Nuk ka arsye tjetër që qeveria të mos shohë punët e qeverisjes, por të opozitës.

Opozita, sigurisht, ka rolin e vet të nderuar në demokraci. Ajo kontrollon qeverinë dhe përgatit alternativën për të ardhmen. Varësisht nga cilësia e përmbushjes së këtij roli, ajo afrohet ose jo me pushtetin. Por nuk është opozita ajo që krijon vende pune, ajo që shton të ardhurat dhe rrit mirëqenien, ajo që ruan rendin dhe qetësinë publike, ajo që garanton sundimin e ligjit në vend, e tjerë.

Problemi është qeveria, në gjithë botën, edhe në vendet më të zhvilluara, edhe në SHBA, edhe në Gjermani. Në Shqipërinë e mbuluar nga problemet qeveria është njëqind herë problemi. E ka kapur mirë zoti Berisha, por nuk po e zbërthen këtë që ka kapur. Për rrjedhim edhe nuk reflekton dot për çfarë do të nxirrte në dritë nga zbërthimi.

Të mos merremi për një moment me papunësinë kronike në rritje, me varfërinë në rritje, me kriminalitetin në rritje, me korrupsionin në rritje, me stopimin real të zhvillimit. Janë të gjitha probleme të qeverisë. Kjo qeveri ka krijuar një borxh në kufijtë kritikë të falimentimit të financave të shtetit, që Berisha llogarit t’ua lërë gurë në qafë pasardhësve. Kjo qeveri qëndron prapa tragjedisë së Gërdecit dhe vrasjeve të 21 janarit. Kjo qeveri ka një problem papajtueshmërie me drejtësinë dhe shtetin ligjor. Po t’i hapë rrugën drejtësisë, do të thotë të humbasë shumicën artificiale ku mbështetet.

Të shkruash për gjithë këto probleme s’do të mbaronim kurrë. Po ndalemi vetëm te problemi i integrimit. Është një naivitet dhe një djallëzi e pashoqe ajo që thuhet herë hapur, herë nën zë se integrimin e paska në dorë opozita. Opozita nuk mund ta pengojë procesin e integrimit të vendit edhe po të jetë në program kundër hyrjes së vendit në BE. Ne kemi parë plot raste në Europë ku opozitat kanë qenë kundër proceseve integruese, deri edhe kundër nocionit të një Europe të Bashkuar, e megjithatë trendi i integrimit ka ecur përpara, sepse atë e ka dashur dhe shërbyer shumica qeveritare si shprehëse e shumicës së qytetarëve. Merret me mend sa e pakuptimtë është në këto kushte të fajësosh për integrimin një opozitë euroatlantiste në program, në vizion dhe në akte, siç është opozita shqiptare. Integrimi varet nga arritja e standardeve. Në analizë të fundit, shumica e popullit e do, integrimi është një cilësi e qeverisjes dhe e demokracisë. Qeveria e ka qarë mbështetjen e opozitës. Por barra është e saj. Prandaj hesapin për ngadalësimin apo frenimin e integrimit duhet t’ia kërkojmë gjithnjë qeverisë. Le të bëjë edhe opozita të vetën, madje le të marrë edhe lidershipin moral dhe verbal të integrimit të vendit në kushtet e dështimit të qeverisë. Por të mos kemi iluzione: marrja e statusit të vendit kandidat varet kryekëput nga qeveria. Dymbëdhjetë kriteret e Bashkimit Europian për Shqipërinë janë të gjitha për qeverinë. Pastaj edhe për opozitën dhe institucionet e tjera.

Qeveria “Berisha” ia ka lidhur këmbët vetes jo vetëm se është e vonuar dhe ambige me zbatimin e dymbëdhjetë kritereve, por para së gjithash me zgjedhjet vendore për bashkinë e Tiranës. E vërteta e zgjedhjeve për Tiranën, e pasqyruar me besnikëri në raporti e ODHIR-it, e dënon Shqipërinë të presë trena të tjera për t’u nisur drejt paradhomës së BE-së. Me atë raport nuk na qas njeri. Vetëm budallenjtë mund të pretendojnë të marrin statusin me një qeveri që ka manipuluar zgjedhjet. Berisha e ka ditur. Edhe Meta e ka ditur. Vitin e kaluar ata dhanë integrimin për të mos hapur kutitë. Këtë vit dhanë integrimin për bashkinë e Tiranës. Janë shkëmbime të rënda që favorizojnë një pakicë pushtetarësh, por i kushtojnë rëndë vendit dhe shumicës dërmuese të qytetarëve.

A ka qeveria një paketë të sajën për zhbllokimin e integrimit? Deri tani asgjë veç fjalëve boshe. Në përqasje me shprehjen e dikurshme të ish kryeministrit Fatos Nano, Berisha dhe Meta duhet të sakrifikojnë pushtet për të zhbllokuar integrimin. Nuk ka rrugë tjetër. Derisa t’i vijë radha popullit sovran.

KOMENTE