English

Qetësi e nderë në Veri të Kosovës

Mitrovicë, 18 shtator 2011, NOA – Dy ditë pas zbatimit të marrëveshjes së Brukselit për vendosjen e doganierëve të policisë së Kosovës në dy pikat kufitare në veri të vendit, në Jarinë e Bërnjak, situata në veriun me shumicë serbe mbetet ende nën potencialin e tensionit. Të gjitha rrugët në veri të Kosovës janë zaptuar nga barrikadat e serbëve lokalë, të cilët kundërshtojnë haptazi marrëveshjen e nënshkruar mes Brukselit, EULEKS-it, KFOR-it dhe autoriteteve të Kosovës. Serbët e zonës duket se po zbatojnë pikë për pikë planin e Beogradit zyrtar për të mos lejuar doganierët kosovarë të kryejnë punën e tyre në kufirin ndarës mes Kosovës dhe Serbisë, ku përpunohen qytetarët e të dy vendeve dhe mallrat që kalojnë në mënyrë të ndërsjelltë këndej e andej kufirit. Serbët pas moszbatimit të marrëveshjes për vulat doganore dhe rikthimit të embargos me Kosovën kanë paralajmëruar se në tryezën e ardhshme të bisedimeve me Prishtinën që do të mbahet në Bruksel do të hedhin rishtas një plan për këtë çështje ku ata kërkojnë prerë që doganierët e Kosovës të mos lejohen të vendosen në dy pikat kufitare me Serbinë. Por, kjo deklaratë është kundërshtuar prerë nga udhëheqësja e delegacionit kosovar, Edita Tahiri, e cila theksoi prerë se doganat janë kapitull i mbyllur e nuk do të kthehen më si temë në tryezën teknike të bisedimeve me Beogradin. mit/NOA

KOMENTE