Nga Eduard Zaloshnja
Në historinë 24-vjeçare të demokracisë së brishtë shqiptare (gjatë periudhave 1920-‘24 dhe 1991-2011) asnjë parti nuk ka mundur ta qeverisë vendin për tre mandate legjislative rresht. Madje, vetëm njëra ka arritur të largohet nga pushteti me zgjedhje të mbajtura në kushte normale, pasi ka qeverisur për dy mandate të plotë njëri pas tjetrit (PS-ja pas mandateve 1997-2001 dhe 2001-‘05). Partia Popullore, e udhëhequr nga Ahmet Zogu, u largua nga pushteti pas një rebelimi të udhëhequr nga Fan Noli, në qershor 1924; Partia Socialiste, e udhëhequr nga Fatos Nano, u largua nga pushteti më 1992, pas zgjedhjeve të parakohshme të shkaktuara nga protesta të mëdha popullore; Partia Demokratike, e udhëhequr nga Sali Berisha, u largua nga pushteti më 1997, pas zgjedhjeve të parakohshme të shkaktuara nga protesta akoma më të mëdha popullore. U provua edhe më 2004-ën të ndërpritej mandati qeverisës i PS-së me protestat e quajtura “Nano ik!”, por u deshën zgjedhjet normale të korrikut 2005 që të ndërrohej pushteti.
Dhe siç e kam theksuar dhe në shumë shkrime të mëparshme, ndërrimi i pushtetit më 2005-ën nuk erdhi si rrjedhojë e një alternative më të mirë që po ofronte opozita e atëhershme – ai ndodhi për shkak të luftës brenda llojit në gjirin e mazhorancës. Të paktën këtë gjë na thonë shifrat elektorale. Siç kam argumentuar në http://www.respublica.al/artikuj/2011/9/5/kontroll-faktesh-ceshtja-morale-e-lubonjes, në vitin 2005, koalicioni opozitar (i udhëhequr nga Berisha) nuk mori më shumë se 43% të votës popullore. Ndërsa në zgjedhjet e vitit 2001, koalicioni i udhëhequr prej tij, kishte marrë rreth 37% të votave në shkallë vendi. Por në atë kohë, Partia Demokrate e Pollos, nëpërmjet trukut të emrit dhe logos shumë të ngjashme me të PD-së, mori rreth 6% të votave në zgjedhje. Pra, po t`i mbledhim votat e Berishës me të Pollos, mund të themi se “mëma” dhe “bija” morën së bashku rreth 43% të votës popullore në vitin 2001.
Duke ndjekur logjikën e një opozite që po ofronte një alternativë më të mirë më 2005-ën, i binte që pesha elektorale e koalicionit të udhëhequr prej Berishës të rritej në krahasim me 2001-shin, kur opozita ende luftonte me bomba molotov. Dhe përveç rritjes prej ofertës së re, koalicioni i Berishës duhej të kishte edhe një rritje mekanike. Kjo, sepse atij iu bashkua partia 6-përqindëshe e Pollos.
Por nuk ndodhi ashtu siç logjika e tezës së “ofertës së re” na sugjeron. Koalicioni i udhëhequr nga Berisha nuk ndoqi dot as rritjen me ritme më të mëdha të popullsisë veriore, rezervuarit më të madh të votave për PD-në. Po si arriti Berisha të vinte në pushtet, kur koalicioni i udhëhequr prej tij nuk kishte marrë më shumë se 43% të votës popullore? Thjesht prej përçarjes së të majtës! Në çdo zonë zgjedhore, koalicioni i Berishës kishte nga një kandidat të vetëm përballë 6 kandidatëve të majtë. Dhe ndarja e votave mes këtyre të fundit “u fali” kandidatëve të Berishës mandatin e deputetit në të paktën 18 zona...
Është shkruar e është thënë shumë për shkaqet që sollën përçarjen e mazhorancës në mandatin 2001-‘05, por, për rikujtesë, mund të them se ajo erdhi si rezultat i përplasjeve mes njerëzve me ambicie të forta personale brenda saj. Dhe pyetja është nëse edhe mazhoranca e sotme po ndjek të njëjtën rrugë. E shtruar ndryshe, kjo pyetje mund të bëhet kështu: “A do të bëhet mazhoranca aktuale viktimë e sindromës së pamundësisë së qeverisjes së vendit për tre mandate legjislativë rresht?” Pas dështimit të demonstratës së 21 Janarit dhe protestave të 17-18 majit të këtij viti, duket se opozita ka vendosur që të mos tentojë ndërprerjen e mandatit të dytë të kësaj mazhorance me revolta popullore. Ajo duket se ka vendosur që të bëjë opozitën tradicionale, duke luftuar institucionalisht mazhorancën dhe duke ofruar një alternativë të re qeverisëse deri në zgjedhjet normale të 2013-ës. Që strategjia e opozitës të ketë sukses, duhet që, ose aksioni i saj të rrisë numrin e zgjedhësve që votojnë për të, ose përçarjet e mazhorancës të pakësojnë numrin e votuesve të kësaj të fundit, ose të ndodhin të dyja këto gjëra njëkohësisht.
Krahasimi i votave të 2005-ës, kur PS-ja ishte në pushtet, me ato të 2009-ës dhe 2011-ës, kur PS-ja ishte në opozitë, tregon se ardhja e Edi Ramës në krye të saj është shoqëruar me rritjen e përkrahjes elektorale për koalicionin e tij rreth 3 herë më tepër sesa do ta shpjegonte vetëm rritja natyrale e popullsisë nga 2005-sa më 2011. (Shih artikullin tim “Qeveri teknike para zgjedhjeve të 2013-ës?” në http://www.respublica.al/opinion/2011/9/2/qeveri-teknike-para-zgjedhjeve-te-2013-es). Kjo trajektore elektorale e opozitës sugjeron se ndoshta ajo i ka ezauruar mundësitë për një rritje me të njëjtat ritme në vitin 2013. Gjasat janë që, në qoftë se nuk zgjerohet, koalicioni opozitar të përfitojë vetëm nga rritja natyrale e popullsisë – pra, të marrë rreth 740 mijë vota. Ndërkohë, koalicioni aktual qeverisës, në qoftë se nuk përçahet dhe duke ndjekur rritjen natyrale të popullsisë, mund të arrijë në rreth 830 mijë vota (Shënim: këtu po presupozojmë se mënyra sesi votohet dhe numërohet nuk do të ndryshojë shumë edhe pas reformës së pritshme elektorale).
Përmbledhur në dy fjalë, me paragrafin e mësipërm dua të them se gjasat më të mëdha janë që mazhoranca të dështojë në marrjen e mandatit të tretë, jo prej rritjes së ndjeshme të përkrahjes elektorale për opozitën, por prej ndarjes së votave të elektoratit të vet. Siç i ndodhi mazhorancës së 2005-ës...
Disa shenja të para të përsëritjes së sindromës: Bamir Topi, ish-nënkryetar i PD-së, duket se do të krijojë një parti të djathtë tradicionale pas ikjes nga Presidenca; Kreshnik Spahiu, ish-përfaqësues i PD-së në KQZ, duket se do të krijojë një parti të djathtë kombtariste; Shpëtim Idrizi, aktualisht në mazhorancë, pothuaj ka deklaruar se partia që ai udhëheq (e cila mori 64 mijë vota në zgjedhjet e fundit) ka parësore kauzën çame dhe dytësore aleancën me njërin apo tjetrin krah të politikës shqiptare; përplasjet Basha-Topalli e Basha-Olldashi po bëhen më të forta etj., etj... Gazeta "Mapo"