Tiranë, 19 shtator 2011, NOA Update – Dialogu politik dhe bashkëpunimi mes mazhorancës dhe opozitës mbeten pikat kyç për përmbushjen e 12 rekomandimeve të KE-së për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE nga Shqipëria dhe integrimin e saj në një kohë më të shpejtë në familjen evropiane. Kështu u shpreh sot gjatë seancës dëgjimore në Komisionin parlamentar të Integrimit, ministrja e Integrimit Majlinda Bregu. E duke qenë se prioriteti i parë i KE-së ishte funksionimi i parlamentit përmes dialogut konstruktiv dhe të qëndrueshëm mes forcave politike në vend, ministrja Bregu bëri me dije se mosfunksionimi i Kuvendit nga bojkoti i opozitës ndikoi në vlerësimin negativ për Shqipërinë vitin e shkuar. Në pritje të opinionit të këtij viti, në tetor, ministrja e Integrimit ftoi opozitën të mos bëjë lojëra politike duke nënvizuar se nuk ka më pretekste për të penguan integrimin e vendit në BE. Ministrja Bregu inkurajoi opozitën të bashkëpunojë me mazhorancën për kryerjen e reformës zgjedhore, si reforma që do të garantojë realizimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare sipas standardeve europiane duke mos lënë shkak për kontestimin e tyre. Zonja Bregu theksoi se reforma zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe të realizohet në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it. Duke iu referuar rekomandimit të tretë për emërimin e Avokati i Popullit, dhe rikthimit në Parlament të procesit të rregullt dëgjimor dhe procesit të rregullt të votimit për emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë, ministrja Bregu apeloi që Partia Socialiste të propozojë emrin e tij. Ajo tha gjithashtu se mazhoranca është gati të plotësojë edhe rekomandimin për heqjen e imunitetit për deputetët. Mbledhja në Komisionin e Integrimit vijon ende me debate mes mazhorancës dhe opozitës sa i përket përmbushjes së 12 rekomandimeve të KE-së. Ndërkohë opozita e cilësoi të njëanshëm raportimin e zonjës Bregu. Komisioni është mbledhur për vlerësimin e progres-raportit të vitit 2010, posaçërisht 12 rekomandimeve të KE-së. Me rikthimin e opozitës në Kuvend dhe pjesëmarrjen e saj në komisionet parlamentare dhe në seancat plenare të Kuvendit, opozita ka deklaruar se në qendër të këtij vendimi janë 12 prioritetet e BE-së. mit/NOA
Në foto: Ministra e Integrimit, Majlinda Bregu, deputetja e PS, Ermelinda Meksi