Tiranë, 19 shtator 2011, NOA/Irma Toptani– Kur në më pak se një muaj pritet të jepet opinioni i radhës i Komisionit Europian për përmbushjen nga Shqipëria të 12 rekomandimeve të vjetshme për statusin e vendit kandidat në BE, Komisioni i Integrimit ka thirrur sot në një seancë dëgjimore ministren e Integrimit Majlinda Bregu. Lajtmotiv i kësaj seance është vlerësimi i progres-raportit të vitit 2010, posaçërisht 12 rekomandimet e KE-së. Me rikthimin e opozitës në Kuvend dhe pjesëmarrjen e saj në komisionet parlamentare dhe në seancat plenare të Kuvendit, opozita ka deklaruar se në qendër të këtij vendimi janë 12 prioritetet e BE-së. Në fakt rekomandimi i parë i KE-së flet për funksionimin e Parlamentit mbi bazën e dialogut konstruktiv dhe të qëndrueshëm mes të gjitha forcave politike në vend. Këtë e shpresojnë tashmë miqtë e Shqipërisë, të cilët gjatë këtyre muajve dhe në afro dy vite bojkot të Kuvendit nga opozita, i kanë bërë thirrje forcave politike të tejkalojnë ngërçin politik që mban vendin larg familjes evropiane. Rikthimi i opozitës në Kuvend është një mundësi për bashkëpunimin për reformat integruese të Shqipërisë dhe votimin e tyre, si reformat kyç që mbajnë peng procesin e integrimit të vendit në BE. 12 Rekomandimet e Komisionit Europian 1.Të garantohet funksionimi i duhur i Parlamentit, mbi bazën e një dialogu politik konstruktiv dhe të qëndrueshëm mes të gjitha partive politike. 2.Të miratohen ligjet e mbetura pezull që kërkojnë shumicë të cilësuar në Parlament. 3.Të emërohet Avokati i Popullit, dhe në Parlament të bëhet proces i rregullt dëgjimor dhe proces i rregullt votimi për emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë. 4.Të bëhen ndryshimet në kuadrin ligjor për zgjedhjet, sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR. 5.Të garantohet mbajtja e zgjedhjeve në pajtim me standardet evropiane e ndërkombëtare. 6.Të kryhen hapat thelbësorë të reformës në administratën publike, përfshi ndryshimet në ligjin për shërbimin civil dhe forcimin e Departamentit të Administratës Publike, me synim që të rritet profesionalizimi dhe depolitizimi i administratës publike, si edhe të forcohet qasja që emërimet dhe ngritjet në detyrë të bazohen në transparencë dhe merita. 7.Të forcohet shteti i së drejtës duke miratuar dhe zbatuar një strategji për reformën e gjyqësorit, e cila të garantojë pavarësinë, efiçencën dhe përgjegjshmërinë e institucioneve gjyqësore. 8. Të zbatohet me efektivitet Strategjia anti-korrupsion e qeverisë dhe plani i veprimit, si dhe të hiqen pengesat ndaj hetimeve, sidomos për hetimet e gjyqtarëve, ministrave dhe deputeteve; të krijohet një "track record" / historik solid me hetimet pro-aktive, ndjekjen dhe dënimin e çështjeve të korrupsionit në të gjitha nivelet. 9.Të forcohet lufta kundër krimit të organizuar, bazuar në vlerësimin e kërcënimeve dhe hetime proaktive, bashkëpunimin e rritur me partnerët rajonalë dhe të BE-së, dhe koordinimin e agjencive të zbatimit të ligjit. Të krijohet një “track rekord” solid në këtë fushë. 10. Të përgatitet, të miratohet dhe të zbatohet një strategji kombëtare dhe plani i veprimit për të drejtat e pronës, duke bërë konsultime të gjera me grupet e interesit dhe duke marrë parasysh praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Kjo nismë duhet të përfshijë proceset e kthimit, kompensimit dhe legalizimit të pronës. 11. Të bëhen hapa konkretë në forcimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, sidomos të grave, fëmijëve dhe romëve, si dhe në zbatimin e efektshëm të politikave antidiskriminim. 12. Të merren masa shtesë për të përmirësuar trajtimin e të ndaluarve në rajonet e policisë, në qendrat e paraburgimit dhe në burgje. Të forcohet ndjekja gjyqësore e çështjeve për keqtrajtim, si dhe të përmirësohet zbatimi i rekomandimeve të Avokatit të Popullit në këtë drejtim. mit/NOA Në foto: Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu