E hënë, 19 shtator 2011, NOA- Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga së bashku me kryeministrin Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministrin e parë, Behxhet Pacolli, u pritën në takim nga Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton. Sekretarja Clinton e përgëzoi Presidenten Jahjaga për angazhimin e saj të vazhdueshëm për të ndërtuar dhe konsoliduar demokracinë dhe shtetin e Kosovës. Ajo e inkurajoi Presidenten që të vazhdojë me aktivitetet e saj diplomatike, të cilat i vlerësoi si jashtëzakonisht efektive. Në vijim Sekretarja Clinton tha se SHBA-ja e mbështet fuqimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe shtrirjen e autoritetit të Kosovës në gjithë territorin e saj. Clinton tha se bashkëpunimi me Bashkimin Evropian dhe misionin e tij në Kosovë për rendin dhe ligjin, EULEX, është i një rëndësie të veçantë dhe kjo shënon një përparim pozitiv dhe i inkurajoi autoritetet e Kosovës që të vazhdojnë të punojnë ngushtë me këtë mision. Ajo tha se është me rëndësi marrëdhënia e afërt me Bashkimin Evropian. Ajo theksoi se SHBA-ja do të vazhdojë angazhimin e saj për ndihmë Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane. Sekretarja amerikane e Shtetit tha se dialogu me Serbinë është e vetmja rrugë përpara dhe përshëndeti përkushtimin e Kosovës për këtë proces. Clinton tha se SHBA-ja po vazhdon t’i inkurajojë shtetet e tjera që të njohin pavarësinë e Kosovës. Sekretarja amerikane e Shtetit e inkurajoi thellimin e reformave të brendshme në Kosovë dhe i dha përkrahje Presidentes Jahjaga në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nga ana e saj Presidentja Jahjaga e falënderoi Sekretaren Clinton për mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm që SHBA-së po e japin në procesin e shtetndërtimit në Kosovë dhe për konsolidimit të mëtejshëm të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Presidentja po ashtu e njoftoi Sekretaren Clinton për progresin e arritur në Kosovë dhe kërkoi mbështetjen e SHBA-së për ta ndihmuar Kosovën në procesin e integrimeve evropiane dhe Partneritetin për Paqe. Presidentja e Kosovës tha se institucionet e vendit janë të përkushtuara që të vendosin rendin dhe ligjin në veriun e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. Më tej Jahjaga tha se Ahtisaari Plus “nuk është zgjidhje, sepse do të rrënonte të arriturat në Kosovë dhe nuk do të garantonte integrimin, por do të çonte drejt ndarjes”. Presidentja e Kosovës tha se kjo do “kthente prapa sukseset e mëdha të dekadës së kaluar në arritjen e paqes dhe të pajtimit në rajon”. Jahjaga e garantoi zonjën Clinton se Kosova është e përkushtuar në dialogun me Serbinë për të gjetur zgjidhje për çështjet praktike të interesit të përbashkët dhe theksoi se kjo është rruga e vetme për të normalizuar marrëdhëniet dhe për të mbështetur njëra tjetrën në rrugën e integrimeve evropiane. Presidentja Jahjaga tha se Kosovës i duhet ndihma e SHBA-së që të punojë me BE-në për t’i ofruar vendit agjendën evropiane, duke shtuar se Kosova është e përkushtuar në rrugën e saj të integrimeve euroatlantike. a.y/NOA
Në foto: Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton me delegacionin kosovar