English

Dominique Strauss-Kahn: Nuk do të garoj për pallatin Elisee

Paris, 19 shtator 2011, NOA – Ish-numri një i Fondit Monetar Ndërkombëtar i akuzuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ngacmim dhe dhunë seksuale ndaj kamerieres Nafissatou Diallo foli mbrëmjen e të dielës për herë të parë në televizion pas arrestimit të tij disa muaj më parë. Dominique Strauss-Kahn pohoi se ka bërë një gabim, për të cilin po vuan një ndjenjë të fortë faji ndaj gruas, fëmijëve dhe francezëve. Duke folur për akuzën e ngritur kundër tij, në edicionin e lajmeve të televizionit F1, DSK nuk hodhi poshtë mundësinë e një komploti të ngritur me synimin për ta nxjerrë jashtë loje nga politika. “Një kurth? E mundshme. Do të kisha dashur të kandidoja për zgjedhjet presidenciale në Francë, por nuk do ta bëj”, deklaroi ish-shefi i FMN-së. “Unë i mungova francezëve, të cilët besonin dhe shpresonin tek unë për një ndryshim”, theksoi Dominique Strauss-Kahn. Ai foli për momentet e arrestimit në Nju Jork, duke rrëfyer se kishte ndjerë shumë frikë. “Kur kapesh nga një mekanizëm i tillë, të duket se mund të të shkatërrojë”, tha DSK. Duke iu rikthyer akuzës për të cilën ai u arrestua, Dominique Straus-Kahn tha se në dhomën Sofitel në Nju Jork nuk ndodhi asnjë akt dhune, agresioni dhe aq më pak u shënua ndonjë krim, sikundër paraqiti akuza e Manhattanit. Duke shënjestruar prokurorin e çështjes Cyrus Vince, prej të cilit u ndje i poshtëruar, ish-kreu i FMN-së nënvizoi se nëse arrestimi i tij është komplot i menduar më parë, atëherë atij do t’i gjendet filli. Fundi i intervistës së Dominique Strauss-Kahn iu kushtua faktit se pak muaj para se të arrestohej në Nju Jork ai u konsiderua si rivali i mundshëm dhe më kredibël ndaj presidentit francez Nicolas Sarkozy në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012. Por, në këtë pikë, ish-shefi i FMN-së pohoi se nuk ka ndërmend të hyjë në zgjedhjet e partisë socialiste. I veshur me një xhaketë të errët dhe i përqendruar Dominique Strauss-Kahn shprehu dhimbjen e tij për humbjen e madhe që i shkaktoi kjo histori. “Mbaj përgjegjësi morale, por kam paguar për këtë faj, dhe rëndë madje. Humba përgjithmonë peshën time”, tha ai duke qeshur. mit/NOA

KOMENTE