English

Erler: Duhet shtrëngim duarsh, nuk ecet përpara me bllokadë politike

E hënë, 19 shtator 2011, NOA- Deputeti socialdemokrat gjerman Gernot Erler, pas vizitës në Shqipëri vlerëson situatën aktuale në vend. Erler, zëvendëskryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate në Bundestagun gjerman, ishte për vizitë në Shqipëri me rastin e 20 vjetorit të Fondacionit “Friedrich Ebert”. Në një intervistë për Deutche Welle ku komenton situatën në Shqipëri, Erler shprehet se, “Deri tani situata ka qenë shumë e tendosur, për shkak të bojkotit të socialistëve në parlament, të cilit ata i dhanë fund pak kohë më parë. Por në bisedat që unë zhvillova atje, konstatova se do të duhet ende kohë deri sa të vendoset besimi reciprok. Unë përjetova një skenë interesante në aktivitetin e organizuar nga Fondacioni “Friedrich Ebert” me rastin e 20 vjetorit të fondacionit. Në të merrte pjesë kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, dhe erdhi edhe kryeministri Sali Berisha. Të dy lëvduan punën e fondacionit. Por në televizionet në Shqipëri tërhoqi vëmendjen fakti që të dy politikanët nuk arritën t'i jepnin dorën njëri-tjetrit edhe pse ishin në një distancë prej 1 metër e gjysmë larg." Në vijim ai shton se, nuk mund të ecet përpara, nëse vazhdon një bllokadë e tillë e politikës. Ndërsa i pyetur se si e parashikon të ardhmen në politikën e brendshme në Shqipëri dhe nëse do të ketë atje shtrëngim duarsh Erler nënvizon: “Unë shpresoj që po. Situata megjithatë vazhdon të jetë e tendosur. Ka akuza për abuzim me pushtetin dhe fajësimet reciproke nuk marrin fund. Por unë shpresoj që duke pasur parasysh edhe perspektivën e integrimit evropian, të dyja palët ta kuptojnë se nuk mund të ecet përpara, nëse vazhdon një bllokadë e tillë e politikës”. DW/NOA

Në foto: Deputeti socialdemokrat gjerman Gernot Erler

KOMENTE