E hënë, 19 shtator 2011, NOA- Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IGFM) në Maqedoni filloi sot grevën e organizuar për siç thuhet gjykimet e padrejta në Republikën e Maqedonisë. Kjo u bë e ditur sot nga kryetari i IGFM-së në Kumanovë, Idriz Sinani, i cili theksoi se në grevë kanë hyrë familjarë të personave që janë pjesë e gjykimeve të padrejta, dhe të gjithë të burgosurit tjerë nëpër burgjet e Maqedonisë, të cilët janë dënuar padrejtësisht me dhjetëra vite burg dhe burgim të përjetshëm. “Tani më një kohë të gjatë, IGFM-ja ka ngritur zërin për padrejtësitë e shumta që po u bëhen shqiptarëve të Maqedonisë me gjykime të padrejta. Kemi reaguar në të gjitha forumet e larta në vend dhe jashtë për këto padrejtësi, por fatkeqësisht deri më tani zëri jonë ka hasur në vesh të shurdhër. I kemi informuar edhe organet më të larta të drejtësisë ndërkombëtare, siç është Gjykata evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg”, deklaroi Sinani. IGFM kërkon lirimin e menjëhershëm të të burgosurve të Sopotit, Brodecit, Kumanovës, Gostivarit, Shkupit, Manastirit dhe të gjithë të burgosurve të pafajshëm që po mbahen në kazamatet e burgjeve të Maqedonisë si dhe të ndërpriten bastisjet e shtëpive të shqiptarëve dhe maltretimet me pretekst më banal që bëhen nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Rastet për të cilat protestohet me grevë urie, janë: 1. Rasti i Brodecit – ku njerëz të pafajshëm po mbahen në burg, kurse fajtorët në liri.
2. Rasti i Rexhail Qerimit nga fshati Opajë i Kumanovës, Agim Islamit nga fshati Rashçe e Shkupit, dhe Almir Derlanjin nga Shkupi të cilët më 30 prill 2010 u dënuan me burgim të përjetshëm për gjoja vrasjen e një pjesëtari të njësitit policor “Alfa”.
3. Rasti i Harun Aliut- i cili pasi u dënua me burg të përjetshëm u ekzekutua nga policia në mënyrë shumë misterioze e pa gjyq, si dhe dënimet me burgim të përjetshëm të Ismail Etemit dhe Bashkim Bajramit, lidhur me gjoja vrasjen e një polici në Shkup.
4. Dënimet me burg të përjetshëm të Nehad Sulejmanit dhe Suad Jusufit nga Shkupi, lidhur me një vrasje të kryer në cilësinë e hakmarrjes ndaj dy maqedonasve,
5. Rasti i Manastirit – ku dy vëllezërit Kleva u dënuan me nga 10-12 vjet pa kurrfarë provash.
6. Rasti i Sopotit – i cili tani ndodhet në rishqyrtim dhe presim lirimin e tyre të pafajshëm, duke kërkuar që për të dëmtuarit shteti të paguajë dëmshpërblim.
7. Rasti i Bajrush Sejdiut – në mesin e shumë rasteve ku biznesmenët e suksesshëm shqiptarë janë cak sulmi i organeve maqedonase.
8. Presioni ndaj medieve - sulmi i ashpër policor ndaj Tv A1 dhe tri gazetave të pronarit Velija Ramkovski, si dhe mbyllja e shumë mediave tjera private dhe largimi i gazetarëve nga puna.
9. Mosrregullimi i statusit të shqiptarëve pjesëmarrës në konfliktin luftarak të 2001-shit.
10.Diskriminimi në dhënien e shtetësisë së shqiptarëve të Maqedonisë, diskriminimi në arsim, kulturë, etj. (INA)/ NOA