Tiranë, 19 shtator 2011, NOA/Irma Toptani – Siç edhe lajmëroi në fundjavën e shkuar deputeti socialist Ditmir Bushati, Partia Socialiste pritet të dorëzojë këtë të hënë në Kuvend paketën me ndryshime për reformën parlamentare. Sipas opozitës ndryshimet janë tejet të nevojshme për funksionimin e Parlamentit mbi bazën e dialogut dhe konsensusit politik. Opozita fillimisht do të kërkojë ndryshimin e rregullores së Kuvendit duke kërkuar rikthimin e asaj të vitit 2009. PS-ja kërkon rikthimin në Kuvend të votimit të fshehtë, që garanton sipas saj votat e opozitës dhe transparencën e veprimtarive parlamentare, si dhe rikthimin debatit në seancën plenare para votimit të projektligjeve e jo në fund të tyre. PS do të kërkojë edhe mbledhjen parakohe të konferencës së kryetarëve, e cila pas miratimit të kalendarit tre javor të punimeve në krye të këtij sesioni parlamentar pritet të mblidhet në 25 shtator. Pas ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit, PS në fazën e dytë të reformimit të Parlamentit do të adresojë të gjitha problematikat që parashtrohen në raportin e KE-së. Këtë PS do ta bëjë përmes një grupi pune dhe me asistencën e OSBE-së. Sipas opozitës, tri shtyllat mbi të cilat mbështetet realizimi i 12 rekomandimeve për të marrë një opinion pozitiv nga Komisioni Europian në tetor janë: reforma e plotë zgjedhore; reforma institucionale që do të garantonte ndarjen e shtetit nga pushteti; dhe reforma e plotë parlamentare. mit/NOA