Tiranë, 20 shtator 2011, NOA- Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha zhvilloi një takim me kreun e prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth. Në këtë takim u diskutua për projektet e përbashkëta, ku si rrjedhojë e bashkëpunimit Bashki-OSBE, synohet cilësi jete më e mirë në Tiranë. Mësohet se nga takimi u konkludua që OSBE të bashkëpunojë me Bashkinë, në drejtim të riciklimit të mbetjeve urbane dhe në përgjithësi sa i përket pastërtisë në qytet. Nga ana e tij kryebashkiaku Basha e informoi ambasadorin edhe me zhvillimet e tjera në Bashki, që kanë të bëjnë me Planin Urbanistik, infrastrukturën, hapësirat e gjelbra si dhe me planet për ndërhyrjet e menjëhershme për rregullimin e trafikut, siç janë ndërhyrjet tek sheshi “Skënderbej” dhe tek rrethrrotullimi i Doganës. Nga ana e tij ambasadori Wollfarth u shpreh se, “Do të bashkëpunojmë me OSBE, si në drejtim të ndërgjegjësimit në lidhje me pastërtinë në qytet, ashtu dhe me projekte konkrete. Një cilësi jete më e mirë në Tiranë, është një cilësi jete më e mirë në Shqipëri”. Sipas tij, një aspekt i rëndësishëm i këtij bashkëpunimi, është se do të përfshihet shoqëria civile dhe puna do të kryhet në çdo lagje të qytetit. a.y/NOA
Në foto: Kryebashkiaku Basha dhe ambasadori Wollfarth