Tetovë, 20 shtator 2011, NOA - BDSH ka shpallur Moratorium të aktiviteteve të veta politike për një kohë të pacaktuar. Ky vendim u miratua në mbledhjen e mbajtur të kësaj partie më 16 shtator në selinë në Tetovë. Kuvendi Qendror i Bashkimit Demokratik Shqiptar (BDSH) në këtë mbledhje kishte vetëm një pikë të rendit të ditës, sa i përket analizës së funksionimit të BDSH-së pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 5 qershorit të këtij viti, informon agjencia e lajmeve INA. Në mbledhje morën pjesë përfaqësues të BDSH-së nga të gjitha degët ekzistuese të veprimit politik në Maqedoni. Pas analizës së rrethanave që sollën humbjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 5 qershorit, BDSH mori vendimin e moratoriumit, që nënkupton se do të pushojnë së ekzistuari të gjitha organet partiake deri në një vendim të ardhshëm. “Duke shpresuar se partia shqiptare në pushtet do të luajë rolin e partnerit të barabartë në qeveri dhe se do të angazhohet për heqjen e diskriminimit të shqiptarëve në Maqedoni, BDSH do t’i japë hapësirë veprimi partisë fituese të zgjedhjeve dhe do të shpresojë në kohë më të përshtatshme për prezantimin e platformës dhe veprimit të vet politik në Maqedoni”, thuhet në komunikatën e këtij subjekti politik të udhëhequr nga veprimtari i njohur dhe themeluesi i UÇK-ve, Bardhyl Mahmuti. INA/NOA