English

Berisha në SHBA: Mbështesni Kosovën për liberalizimin e vizave

New York, 20 shtator 2011, NOA - Në vijim të vizitës në New York, Kryeministri Berisha vijoi lobimin për pavarësinë e Kosovës ku zhvilloi takime me kongresmenin Eliot Engel dhe kongresmenin Joseph Crowley. Të pranishëm në punimet e Forumit të Investimeve SHBA- Shqipëri, në takimin mes tyre u diskutua për çështjen e njohjes së mëtejshme të Pavarësisë së Kosovës dhe koordinimin e përpjekjeve në këtë drejtim. Në vijim të takimit Kryeministri Berisha çmoi si shumë të rëndësishëm liberalizimin e vizave për shtetasit kosovarë, si një moment i cili do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm si në planin e përgjithshëm ekonomik, ashtu dhe në planin e rritjes së lirive të qytetarëve të saj. Nga ana e tij, kongresmeni Engel e siguroi Kryeministrin për mbështetjen e palëkundur të qeverisë amerikane në lidhje me çështjen e Kosovës, duke vlerësuar edhe maturinë e qeverisë së saj në lidhje me hapat e ndërmarrë për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe forcimin e sovranitetit të saj. Berisha konfirmoi edhe një herë qëndrimin e qeverisë shqiptare për ruajtjen e kufijve ekzistues në Ballkan, si politika më e mirë në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon. Në vijim duke diskutuar për situatën politike në Shqipëri, ai mirëpriti kthimin e opozitës në parlament dhe shprehu shpresën se opozita do të përfshihej në mënyrë serioze në reformën zgjedhore dhe do të kontribuonte me konsensus dhe vullnet pozitiv në plotësimin e reformave të kërkuara për integrimin në BE. Kryeministri vlerësoi qëndrimet e qeverisë amerikane në lidhje me zhvillimet në Shqipëri, përfshirë zgjedhjet e fundit të zhvilluara. Ndërsa gjatë takimit me kongresmenin Crowley u diskutuan çështje të interesit të përbashkët, ku fokus të veçantë patën marrëdhëniet dhe zhvillimi i diasporës shqiptare, veçanërisht në New York. Kryeministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe në zhvillimin e demokracisë. a.y/NOA

Në foto: Kryeministri Berisha dhe kongresmeni Eliot Engel

KOMENTE