E martë, 20 shtator 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Kryeministri i vendit Sali Berisha pas përfundimit të Forumit të Investimeve SHBA-Shqipëri, në New York, ishte i pranishëm në darkën me përfaqësues të kompanive dhe sipërmarrjeve amerikane, pjesëmarrësve në Forum. Në fjalën e mbajtur me këtë rast ai i falënderoi biznesmenët amerikanë për pjesëmarrjen në këtë Forum dhe shfrytëzoi edhe një herë këtë event për t’i ftuar për të investuar në Shqipëri, një vend mikpritës, me potenciale të jashtëzakonshme dhe klimë miqësore për biznesin, duke shtuar se është inkurajuar së tepërmi për të përmirësuar klimën e biznesit në vend. “Siç e dini, në një hark shumë të shkurtër kohor, nga viti 2004 në vitin 2010, numri i vizitorëve dhe turistëve që erdhën në vendin tim u rrit nga 300 mijë në 3.5 milion. Në të gjithë artikujt e shkruar mbi Shqipërinë, një nga asetet më kyç dhe thelbësor thuhet se është mikpritja shqiptare. Qëllimi ynë është që ta kthejmë këtë mikpritje në një mbështetje të madhe për biznesmenët dhe investitorët”, u shpreh Berisha para të pranishmëve. Ai u shpreh i gatshëm para investitorëve që të bëj më të mirën për të lehtësuar barrën dhe pengesat burokratike. Sipas tij, në një raport të Konkurueshmërisë Botërore, Shqipëria renditej ndër 10 vendet e para në botë për vetë-kufizimin e qeverisë në ekonomi, ku në atë renditje vendi ynë ishte i 9-ti. Në këtë mbrëmje, i ftuar nderi ishte Presidenti i kompanisë Coca – Cola Muhtar Kent, i cili ndau me të pranishmit eksperiencën e tij në Shqipëri, suksesin e projektit dhe të investimit të tij, por krahas tij një tjetër i pranishëm ishte edhe kongresmeni Eliot Engel. Në fjalën e tij, Muhtar Kent kujtoi takimin e parë me kreun e qeverisë në vitet ‘90, ku shtoi se pas pothuajse 20 vjetësh, flitet për një Shqipëri që ka kaluar nga niveli i të ardhurave për frymë prej rreth 200 dollarësh në 8000 dollarë. “U them të gjithë investitorëve të mundshëm nga SHBA që do të duan të investojnë në Shqipëri, që ka shumë potencial, do të ketë shumë hotele të bukur me 5 yje. Vazhdoj t’i them të gjithë miqve të mi që janë në biznesin e hoteleri-turizmit që ka potencial të jashtëzakonshëm. Kur ju jeni në bregdetin shqiptar, shikoni Korfuzin dhe kur shkoni në Korfuz dhe shikoni bregdetin shqiptar, ai është shumë i ndryshëm, është shumë më i bukur, për shkak të maleve të larta, të maleve shkëmborë, të natyrës. Deti vetë është i paprekur, natyral, i gjelbër dhe e di se shumë ditë më të shkëlqyera e presin Shqipërinë dhe popullin e saj”, u shpreh Muhtar Kent. Ai u bëri thirrje investitorëve në SHBA që të mos stepen, pasi duke iu referuar Shqipërisë shtoi se është një vend që nuk do të ndalet dhe se është një vend që ka dinamizëm, një vend ky njerëzit besojnë në të ardhmen e tyre, falë lidershipit të Kryeministrit Sali Berisha. a.y/NOA
Në foto: Kryeministri Berisha gjatë fjalës së mbajtur në përfundim të Forumit të Investimeve SHBA-Shqipëri