English

Imuniteti i Limaj-t, Eulex pret zyrtarizimin e vendimit

Prishtinë, 20 shtator 2011, NOA - EULEX-i po pret paraqitjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në Gazetën Zyrtare për të vendosur se çfarë do të bëjë me rastin e deputetit Limaj. EULEX-i është duke shqyrtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka interpretuar Kushtetutën në rastin e imunitetit për deputetët në Kuvendin e Kosovës, duke vlerësuar se deputetët nuk gëzojnë imunitet nga ndjekja penale për veprimet dhe vendimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre. Zëdhënësi i EULEX-it, Hans Kristian Klasing ka deklaruar se po shqyrtohet vendimi i Gjykatës. “EULEX-i vëren se vendimi nuk bëhet efektiv, derisa nuk publikohet në gazetën zyrtare”, u shpreh Klasing për mediat kosovare. I pyetur nëse EULEX-i do të zbatojë urdhër-arrestin në rastin e deputetit Limaj, i lëshuar para disa muajsh, zëdhënësi Klasing tha se për një gjë të tillë njëherë për njëherë misioni evropian nuk jep komente. Çështja e imunitetit ka shkuar deri tek Gjykata Kushtetuese, për shkak të urdhër-arrestit, që EULEX-i ka ngritur kundër deputetit, Fatmir Limaj. Këtij të fundit dhe nëntë personave të tjerë, aktakuza e konfirmuar tashmë, i ngarkon për krime lufte kundër popullatës civile dhe robërve të luftës, që supozohet të jenë kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit 1999, kundër civilëve serbë dhe shqiptarë, si dhe kundër pjesëtarëve të burgosurve të ushtrisë serbe dhe policëve serbë të mbajtur në një qendër të improvizuar paraburgimi nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) e cila ndodhej në fshatin Kleçkë. Avokati i deputetit Limaj, Tomë Gashi tha se tani, para EULEX-it mbesin dy opsione. “Pas interpretimit të Gjykatës Kushteteuse, pas nxjerrjes së vendimit, i cili është bërë me kërkesën e Qeverisë së Kosovës, EULEX-i i ka dy mundësi: që të heqë dorë nga urdhër-arresti që është lëshuar më mars të këtij viti për z Fatmir Limaj; dhe e dyta që ta implementojë atë fletarrestim, respektivisht që ta tentojë ta arrestojë atë. Përndryshe, vendimi tani është pezull dhe i mbetet prokurorëve, gjyqtarëve të EULEX-it se si do ta vlerësojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese i cili është nxjerrë sot”, u shpreh avokati i Limajt. a.q/NOA

KOMENTE