English

PS zbardh tryezën e koalicionit: Jemi të bashkuar, s’ka mungesa politike

Tiranë, 20 shtator 2011, NOA/ Albana Qehajaj - Është thirrur të martën në mesditë tryeza e Opozitës së Bashkuar nga Kryetari i PS Edi Rama për dy çështje themelore, reforma zgjedhore dhe greva e minatorëve të Bulqizës. Sipas njoftimit zyrtar, të shpërndarë pasdite nga selia rozë,në këtë tryezë është vendosur se partitë aleate të Opozitës së Bashkuar do të veprojnë si një subjekt i vetëm politik. Reforma zgjedhore, tha koordinatori i opozitës, Preç Zogaj, është vazhdim i betejës për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri: “Dy ishin problemet që diskutoi sot tryeza e Opozitës së Bashkuar në këtë fillim të sezonit politik. Problemi i parë ishte diskutimi për reformën zgjedhore. Ishin të pranishëm edhe dy deputetët e Partisë Socialiste që janë mandatuar për të ndërtuar negociatat me përfaqësuesit e qeverisë për këtë reformë. Kryetarët e partive të koalicionit shfaqën mendimet e tyre për këtë reformë. Synimi i përbashkët i tryezës sonë, i koalicionit tonë, është që të shkohet drejt një kodi zgjedhor gjithëpërfshirës, ku të reflektohen maksimalisht mendimet dhe opsionet e partive të opozitës me qëllim që të ketë më shumë transparencë në zgjedhje, të maksimalizohet fuqia elektorale e gjithë subjekteve dhe ajo që është më e rëndësishme, të realizohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo përfaqëson vazhdimin e betejës tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Dua të nënvizoj faktin, se, partitë pjesëmarrëse në këtë tryezë ranë dakord që të punojnë si një subjekt i vetëm politik, megjithëse janë parti të ndryshme, në lidhje me reformën. Pra, opozita do punojë si subjekt politik, unik, për reformën. Sot nuk do flasim për sistemin, sepse ky është një proces. Ka filluar sot puna, është një proces që do të vazhdojë, por në të ardhmen do të flitet më konkretisht. U vendos të krijohet edhe një bërthamë, një grup pune, që do të mbajë komunikimin aktiv dhe gjallë me përfaqësuesit e PS në parlament. Themelore është që opozita do të vazhdojë në këtë formë betejën e saj për zgjedhje të lira. Problemi dytë ka të bëjë me shqetësimet e mëdha, me gjendjen e tmerrshme që po krijohet në Bulqizë nga greva e urisë së minatorëve dhe për këtë, përfaqësues të partive opozitare do të jenë në kontakt me këtë grevë, me minatorët për të mbështetur dhe për të kërkuar një zgjidhje definitive që i jep fund kësaj drame pambarim në Bulqizë.” Tryeza e Opozitës së Bashkuar ka vazhduar me diskutime të cilat zgjatën më shumë se një orë e tridhjetë minuta. Lidhur me mosprezencat fizike të disa liderëve në këtë tryezë pune, Zogaj tha se: “Nuk kishte asnjë mungesë politike në tryezë. Natyrisht do kishim dashur që të ishte i pranishëm zoti Gjinushi dhe Dule, por ata janë jashtë Shqipërisë. Ata janë përfaqësuar me të tjerë. Pra, nuk ka mungesa politike në këtë tryezë. As e z.Ngjela nuk është mungesë politike”. a.q/NOA

KOMENTE