English

Shkarkimet në policinë e Vlorës, Burgaj: Do forcojmë rendin

Tiranë, 20 shtator 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Drejtori i përgjitshëm i policisë së shtetit Hysni Buragj ka komentuar sot pasdite lëvizjet e krerëve të policisë në qytetin e Vlorës, pas vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Pas takimit me një zyrtar të lartë të policisë së shtetit austriak, Burgaj deklaroi se ndryshimet në polici ndodhin shpesh. I pyetur nga gazetrët ai ka pohuar se lëvizjet në policinë e Vlorësa kanë lidhje edhe me atentatin ndaj gjyqtarit. “Ne po punojmë për zbardhjen e vrasjes dhe ndryshimet në rradhët e policisë bëhen për forcimin e rendit”, tha drejtori i përgjithshëm i policisë. Këto deklarata, drejtori i Përgjithshëm i Policisë i ka bërë pas takimit të zhvilluar me homologun e tij austriak, takim i cili është mbajtur për shkëmbim eksperiencash mes dy vendeve. “E falënderova për kontributin që ka dhënë në shtetin shqiptar në drejtim të trajnimeve dhe e garantoj për besimin reciprok që i kemi dhënë njëri-tjetrit. Kjo do të ndikojë në suksese të dy policive respektive”, u shpreh Burgaj. Drejtori i përgjithshëm i policisë në Austri tha se, policia austriake bashkëpunon shumë mirë me policinë shqiptare, por bashkëpunimi dhe lufta e përbashkët kundër krimit, ka gjithmonë nevojë për thellim të mëtejshëm.

Shkarkimet në policinë e Vlorës Të gjithë krerët e bluve bregdetare kanë marrë sot njoftimin rrufe për të lënë postet e tyre pas firmës së ministrit të brendshëm Bujar Nishani. Me urdhër të kreut të uniformave blu është larguar nga detyra drejtori i policisë së qarkut të Vlorës Ylli Metko dhe në vendin e tij është emëruar Nazmi Kotarja, drejtor i trajnimeve në drejtorinë e përgjithshme të policisë së shtetit. Drejtori i policisë Metko ushtronte detyrën e tij në krye të policisë së Vlorës prej 5 vitesh. Ndërkohë, nga detyra është larguar edhe nëndrejtori i policisë së Vlorës Myftar Demirlika, i cili ka bërë rrokadë me nëndrejtorin e policisë së Korçës Elidon Veizi. Nga ana tjetër edhe shefi i komisariatit të qytetit bregdetar Nikolin Thana është larguar, duke u zhvendosur me të njëtin post në zonën e Ballshit, ndërkohë që zëvëndësohet nga Alfred Elezi, i cili ka ushtruar të njëjtën detyrë në komisariatin e Mirditës. a.q/NOA

KOMENTE