Tiranë, 20 shtator 2011, NOA – 664 efektivë policie i janë nënshtruar për 120 minuta provimit të Shkollës së Policisë për gradën Nënkomisar. Provimi u zhvillua në ambjentet e Pallatit të Kongreseve nën masa të rrepta sigurie ku janë ndaluar përdorimi i çdo forme kopjimi. Sipas njoftimit zyrtar, korrigjimi i testimit është bërë në formë elektronike me skantron menjëherë pas përfundimit të testimit në prani të aplikantëve dhe pikët i janë bërë të ditura secilit prej punonjësve të policisë pjesëmarrës në testimin me shkrim. Në përfundim të testimit me shkrim rezultuan fitues të kësaj faze konkurrimi 307 punonjës policie, të cilët kishin grumbulluar mbi 60 pikë. Procesi i testimit u ndoq nga afër dhe nga Sindikata e Policisë, si dhe Programi ICITAP. Punonjësit e policisë do t’i nënshtrohen dhe fazave të tjera të konkurrimit dhe në përfundim të tyre do të bëhet shpallja e rezultateve përfundimtare të konkurrimit për ngritjen në gradë, si dhe lista e kandidatëve fitues që do t’i nënshtrohen trajnimit për gradë. Policia e Shtetit, përmes këtij procesi konkurrimi që është ndërtuar bazuar në eksperiencat më të mira perëndimore, synon të përzgjedhë me barazi, paanshmëri dhe transparencë të plotë, kandidatët më të mirë për ngritjen në gradë. a.q/NOA