Nju Jork, 21 shtator 2011, NOA/ Albana Qehajaj - Kryeministri Berisha mori pjesë në takimin e nivelit të lartë në Nju Jork, i iniciuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama dhe Presidentja e Brazilit Dilma Rouseff, në të cilin u bë lançimi zyrtar i nismës Partneriteti për qeverisje të hapur. Shqipëria është bërë pjesë e kësaj nisme, e cila përfshin aktualisht 46 vende, me fokus marrjen e angazhimeve konkrete për promovimin e transparencës e qeverisjes së hapur. Takimi u hap nga Presidenti Obama dhe në të merrnin pjesë kryetarë shtetesh dhe zyrtarë të lartë të vendeve të angazhuara në këtë nismë. Vëmendja u përqendrua në sfidën e përbashkët të përmirësimit të qeverisjes dhe u tregua një angazhim i fortë politik i të gjitha vendeve pjesëmarrëse për të ndërmarrë reformat e nevojshme për të rritur transparencën, për të luftuar korrupsionin dhe forcimin e mekanizmave të përgjegjësisë demokratike. Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha i pyetur nga gazetarët në lidhje me këtë takim dhe nismën e Partneritetit për qeverisje të hapur, bëri këtë koment: “Ishte një takim jashtëzakonisht i rëndësishëm. Presidenti Barack Obama dhe Presidentja e Brazilit Dilma Rouseff kanë ndërmarrë nismën e Partneritetit të Qeverisjes së Hapur. Presidenti Obama mbajti këtu një fjalë jashtëzakonisht të rëndësishme, në të cilën komentoi zotimet që qeveritë duhet të marrin në mënyrë që të bëhen më të hapura e transparente ndaj vendeve të tyre. Po kështu Presidentja Rouseff njohu me progresin e Brazilit në këtë fushë. E vërteta është se Shqipëria është një vend që po bën përpjekjet më serioze. Natyrisht, në këtë Forum, Shqipëria gjen një frymëzim dhe u angazhua të zbatojë një për një të gjitha zotimet e angazhimet që rrjedhin nga anëtarësia në këtë nismë”, përfundoi kryeministri Berisha. a.q/NOA