E mërkurë, 21 shtator 2011, NOA- Ministri i jashtëm shqiptar Edmond Haxhinasto në kuadër të punimeve të sesionit të 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, u takua me Sekretaren amerikane të Shtetit Hillary Clinton si dhe me tre homologë të tij. Haxhinasto zhvilloi një takim me Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Nikola Poposki, ku u diskutua mbi bashkëpunimin dypalësh, si dhe zhvillimet në rajon. Në fillim të takimit ministri Haxhinasto e uroi homologut e tij për marrjen e detyrës si Ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë. Dy ministrat e Jashtëm konfirmuan vullnetin për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve në fushat me interes të përbashkët. Gjatë takimit u theksua ekzistenca e një vullneti të qartë politik nga të dy palët për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, veçanërisht në fushën e transportit, energjetikës, çështjet konsullore, hapjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, ndërtimin e linjës së përbashkët të interkonjeksionit ndërmjet dy vendeve etj. Gjithashtu, ministri Haxhinasto takoi Ministrin e Jashtëm të Greqisë, Stavros Lambrinidis, i cili edhe një herë deklaroi se Greqia është mbështetëse e fortë e integrimit të Shqipërisë në BE. Nga ana e tij Haxhinasto tha se palët kanë vullnet të përbashkët të trajtojnë të gjitha çështjet me interes të ndërsjellë. Ai shtoi se Shqipëria respekton legjislacionin ndërkombëtar për minoritetet. Në vijim Haxhinasto takoi dhe ministrin e Jashtëm të Rumanisë, Teodor Baconschi, ku gjatë bisedës dy zyrtaret ranë dakord se Shqipëria dhe Rumania kanë marrëdhënie shumë të mira. Sakaq ministri shqiptar i kërkoi Rumanisë të mbështesë integrimin në rajon të Kosovës. Krahas takimeve të tjera Haxhinasto u takua dhe me Sekretaren Amerikane të Shtetit, Hillari Klinton, ndërsa aktualisht vazhdon vizitën e tij në SHBA, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB në Nju Jork. a.y/NOA
Në foton kryesore: Ministri Haxhinasto dhe Hillary Clinton
Në foton e dytë: Haxhinasto me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë Nikola Poposki