English

Minoriteti grek kërcënon: Do ta braktisim Censusin

Tiranë, 21 shtator, NOA – Minoriteti grek në Shqipëri kërcënon me bojkot ndaj procesit të regjistrimit të popullatës. Siç bën me dije media “Greek Reporter”, një fakt i tillë është hedhur si propozim gjatë një takimi të përfaqësuesve të Partisë për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut dhe të Bordit të Përgjithshëm të organizatës minoritare greke "OMONIA".

Gjatë tij, qeveria shqiptare është akuzuar për atë që minoritarët e kanë cilësuar si “rivendosje e metodave dhe praktikave të diktaturës së Enver Hoxhës”.

Sipas të pranishmëve në këtë takim, vlerësimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për të përjashtuar kombësinë nga gjendja civile, përbën një shkelje të të drejtave të njeriut dhe minoritetit grek në veçanti, i cili jeton në Shqipëri, duke rënë kështu në kundërshtim me parimet dhe idealet evropiane.

Vetë kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, mësohet që të jetë shprehur se gjykime të tilla, të sjellin ndërmend “kujtime nga periudha komuniste në Shqipëri".

Ndërkaq, pak ditë më parë, në një deklaratë të posaçme OMONIA, është deklaruar për shtyrjen e procesit të regjistrimit të popullatës në vendin tonë.

Organizata në fjalë, kërkon ta shtyjë regjistrimin me 6 muaj, duke e justifikuar këtë me faktin se ky proces ka për qëllim tkurrjen statistikore të pakicës greke në Shqipëri. Në deklaratën e saj OMONIA thotë se "Për fat të keq, nga procesi i regjistrimit nuk presim një pasqyrim të saktë të çështjeve të tilla të ndjeshme si demografia e minoritetit etnik grek. Procedurat dhe reklamat që po i bëhen këtij procesi, nuk kanë asgjë të përbashkët me standardet evropiane dhe bien në kundërshtim me praktikën e organizatave ndërkombëtare”.

n.e/NOA

KOMENTE
  • Filtra Uji Aquaphor17:54 - 21 Shtator 2011
    Na plasi trapi se s'pranuat ju . Minoritet ethnik , minoritet i ardhur duhet te thuash .