Tiranë, 21 shtator 2011, NOA- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama pasditen e sotme zhvilloi një takim me ambasadorin e Suedisë Lars Wahlund. Burime zyrtare nga selia rozë bëjnë me dije se në takim u diskutua mbi situatën politike dhe ekonomike në Shqipëri. Në fjalën e tij kryesocialisti Rama e njohu ambasadorin me kursin e ri politik të ndjekur nga Partia Socialiste dhe i parashtroi atij propozimet që ka bërë Partia Socialiste për reformën parlamentare dhe reformën zgjedhore, si dy prej reformave kryesore në procesin e kandidimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Nga ana e tij ambasadori Wahlund e përgëzoi kreun e Partisë Socialiste për kursin e ri politik, duke e konsideruar atë si ushtrim përgjegjësie në funksion të interesave kombëtare. Ambasadori i Suedisë siguroi kreun socialist se Suedia do të vazhdojë të mbështesë edhe në të ardhmen përmes programeve të bashkëpunimit, integrimin europian të Shqipërisë në Bashkimin Europian. a.y/NOA
Në foto: Edi Rama me ambasadorin e Suedisë Lars Wahlund